Më 11 Shtator 2025, në Shqipëri, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste (PS), njoftoi në Asamblenë e partisë në pushtet, zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Ai kërkoi me shumë sforcim shkarkimin e Erion Veliajt, kryetarit legjitim, të burgosur prej tetë muajsh nga një proces i nisur nga Prokuroria Speciale (SPAK) dhe propozoi Ogerta Manastirliun (ministër) si kandidate të PS-së për të plotësuar vendin e lënë bosh në drejtimin e kryeqytetit – Tiranë.
Edi Rama iu drejtua Asamblesë së Partisë Socialiste me fjalët:
“Sot kemi një kryetar bashkie të zgjedhur tre herë, i dënuar jo për detyrën si kryetar. I janë nxjerrë edhe biseda me familjarët nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial, jo e jo. Është shkelja më e hapur dhe më flagrante në shpërdorim të detyrës, nga ana e tyre që duhet të mbajë nën kontroll hetimet. Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta, përditë e përnatë. Nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë për sa ka bërë në këto 7 muaj. E falënderoj për përkushtimin. Por sot ne duhet të marrim një vendim politik, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë në Tiranë. Mendoj se Ogerta Manastirliu është njeriu i duhur për drejtimin e Bashkisë Tiranë.”
Më 17 shtator 2025, këshilltarët socialistë të Bashkisë së Tiranës u mblodhën në selinë e Partisë Socialiste dhe vendosën që më 23 shtator, të organizojnë mbledhjen ku do kërkohej shkarkimi nga detyra i kryebashkiakut Erion Veliaj, duke aktivizuar nenin 62 të qeverisjes vendore, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë prej 3 muajsh. Kërkesa, pavarësisht se hasi dy a tre kundërshtime për formulimin e saj, u firmos nga të gjithë këshilltarët socialistë të pranishëm në mbledhje.
Më 19 shtator 2025, Kryetari i burgosur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i drejtoi një kërkesë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që të jetë i pranishëm në mbledhjen e këtij këshilli që është planifikuar për të martën (23 shtator) ku do diskutohet për shkarkimin e tij.
Në kërkesën e tij, Veliaj sqaronte se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Veliaj kujdeset të shkruajë ndër të tjera në letrën e tij: “Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues.”
Pas kësaj letre, Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka kthyer përgjigje Erion Veliajt, lidhur me kërkesën e tij për të qenë i pranishëm dhe për të dhënë objeksionet e tij para votimit në lidhje me shkarkimin e tij. Në shkresën e firmosur nga Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, i bëhet me dije Veliajt se, në rast të pamundësisë për të qenë prezent fizikisht, qëndrimet e tij mund t’i dorëzojë me shkrim, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen publike.
Shkresa e firmosur nga sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Behar Zeneli shkruan:
“I nderuar Kryetar,
Në vijim të kërkesës suaj për t’u njohur, dëgjuar, mbrojtur dhe për të dhënë sqarime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ju informojmë se mbledhja do të zhvillohet ditën e martë, më datë 23.09.2025, ora 16:00.
Në rast se nuk do të jeni i pranishëm fizikisht në mbledhje, ju lutemi që observacionet tuaja t’i dorëzoni me shkrim pranë Këshillit Bashkiak, në mënyrë që ato të administrohen dhe të bëhen me dije gjatë mbledhjes.”
Pas kësaj shkrese të Këshillit Bashkiak, sot më 22.9.2025, Erion Veliaj ka reaguar përsëri me një letër të drejtuar nga burgu ku vuan izolimin, në adresë të Këshillit Bashkiak.
Në shkresën e tij, Veliaj thekson se nuk është njoftuar zyrtarisht për rendin e ditës dhe as për akuzat që rëndojnë mbi të. Ai shprehet se i është mohuar mundësia për t’u mbrojtur, si fizikisht ashtu edhe me shkrim, për shkak të mungesës së transparencës dhe ndodhjes së tij në paraburgim.
Veliaj kritikon rolin e Sekretarit të Këshillit, duke e cilësuar tejkalim kompetencash. Ai kërkon një vendimmarrje të qartë dhe me votim nga vetë Këshilli, në respekt të të drejtave kushtetuese të kryebashkiakut.
Letra e plotë e Erion Veliajt:
“Në përgjigje të shkresës suaj, me firmën e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, evidentojmë se nuk përmban vendimmarrjen me votim të Këshillit Bashkiak, lidhur me garantimin e të drejtave kushtetuese të kryetarit të Bashkisë në procedurën e shkarkimit, të iniciuar ndaj tij si organi që ka kompetencën për të vendosur mbi praninë, dëgjimin dhe mbrojtjen e Kryetarit të Bashkisë.
Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk mund të marrë përsipër rolin e një organi kolegjial. Çdo komunikim i Këshillit Bashkiak, që shkon përtej funksioneve teknike e administrative, përbën tejkalim të kompetencës dhe cenim të parimit të ndarjes së funksioneve. Sekretari është një funksion administrativ, jo organ politik dhe as vendimmarrës, në këtë procedurë. Kompetencat e tij kufizohen në sigurimin e infrastrukturës organizative të mbledhjes, shpërndarjen e materialeve dhe njoftimeve, protokollimin dhe mbajtjen e proces-verbaleve. Ai nuk ka asnjë tagër ligjor, të japë udhëzime mbi mënyrën e realizimit të së drejtës për t’u dëgjuar apo interpretuar kërkesat e kryetarit. Në një procedurë që mund të përfundojë me shkarkimin e kryetarit, e drejta për t’u dëgjuar e kryetarit të Bashkisë është thelbësore. Kjo e drejtë nuk mund të mjaftohet në një njoftim formal të sekretarit të Këshillit Bashkiak, lidhur me mundësinë potenciale për të sjellë një mbrojtje me shkrim.
Nesër në orën 16:00 ka një mbledhje, pa u informuar zyrtarisht se për çfarë shërben kjo mbledhje dhe cili është rendi i ditës së saj, si dhe nuk kam asnjë informacion zyrtar lidhur me garantimin e së drejtës për t’u dëgjuar në këtë mbledhje, e cila, edhe pa shkresë nga ana ime, duhet të ishte mundësuar nga ana juaj.
Ende sot, një ditë përpara se të merret vendimi nga Këshilli Bashkiak, nuk jam informuar në mënyrë zyrtare nga ky Këshill me mbajtjen e një mbledhjeje, në të cilën do vendoset për shkarkimin tim si kryetar bashkie, shkaqet e shkarkimit, materialet që më ngarkojnë me përgjegjësi, sqarimet përkatëse nga ana juaj, kërkimin e sqarimeve dhe provave nga ana ime në lidhje me shkeljet e pretenduara dhe materialet mbi të cilat ajo mbështetet, dhe si rrjedhojë nuk më është siguruar mundësia që të mbrohem, të jap shpjegime e të mbrohem përpara këtij organi kolegjial, as fizikisht e as me shkrim, për më tepër kur duke qenë se ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara. Mbetem në pritje të vendimmarrjes me votim nga ana e Këshillit Bashkiak, për garantimin e të drejtave kushtetuese të kryetarit të bashkisë, në procesin e iniciuar për shkarkimin e tij.”
Pas kësaj letre të fundit që Erion Veliaj dërgon publikisht në drejtim të “Këshillit Bashkiak të Tiranës” qëndron në të vërtetë përgjigja ndaj Edi Ramës, për ta zëvendësuar atë me Ogerta Manastirliun.
A është lojë apo përplasje mes të dyve?
Këtë do ta vërtetojë lëvizja e nesërme që do bëjë Këshilli Bashkiak kur të mblidhet në Tiranë në orën 16:00, edhe në prani të këshilltarëve të opozitës.