Studentja e drejtësisë Mia O’Brien dënohet rëndë, familja kërkon drejtësi.
Një fakt i ri ka dalë në dritë mbi fatin e Mia O’Brien, studenten britanike të drejtësisë nga Liverpooli, e cila është dënuar me 25 vjet burg në Dubai, nën akuzën se ka konsumuar vetëm një “vizë” kokaine gjatë një feste.
Ngjarja daton nga tetori i vitit të kaluar, kur policia e Dubait ndërhyri në një apartament ku ndodheshin Mia, një shoqe britanike e saj, si dhe i dashuri i shoqes. Autoritetet gjetën rreth 50 gramë kokainë, ndërsa të pranishmit iu nënshtruan testimit.
Shoqja, e identifikuar si “Emma”, doli negative dhe u lirua menjëherë. Mia dhe i dashuri i Emmas, të dy rezultuan pozitivë dhe u akuzuan për konsum dhe posedim, duke marrë secili dënimin maksimal prej 25 vjetësh burg.
Procesi gjyqësor u zhvillua më 25 korrik, në vetëm një ditë dhe në gjuhën arabe. Përveç dënimit me burg, Mia u gjobit edhe me 100 mijë paund.
Fillimisht, e reja u mbajt në qendrën e paraburgimit Al Barsha, ku qëndroi për muaj të tërë, përpara se të transferohej në burgun famëkeq Al Awir, i njohur për kushtet e rënda të jetesës dhe trajtimin e ashpër ndaj të burgosurve.
Familja e saj në Britani, e tronditur nga vendimi, ka nisur një fushatë për ndihmë ligjore dhe apelimin e çështjes. Nëna e saj, Danielle McKenna, është shprehur se vajza është viktimë e një padrejtësie dhe ka kërkuar ndihmën e institucioneve britanike për të siguruar një proces të drejtë.
Ky rast ka rikthyer vëmendjen mbi ligjet jashtëzakonisht të rrepta antidrogë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku edhe gjurmët minimale të substancave narkotike në gjak përbëjnë vepër penale.