Kreu Vëzhgim Presidenti firmos dekret për “ministrin virtual”: një precedent i paimagjinueshëm kushtetues

Presidenti firmos dekret për “ministrin virtual”: një precedent i paimagjinueshëm kushtetues

Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, procesi i emërimit të Kryeministrit dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave është i rregulluar qartë dhe pa ambiguitet.

Neni 96 përcakton se Presidenti, me propozim të partisë ose koalicionit që ka shumicën në Kuvend, emëron Kryeministrin. Në rast se Kryeministri i emëruar nuk miratohet, procedura përsëritet, deri edhe në shpërndarjen e Kuvendit nëse nuk gjendet një zgjidhje.

Pasi emërohet, Neni 97 detyron Kryeministrin që brenda 10 ditëve të paraqesë programin politik dhe përbërjen e kabinetit për miratim në Kuvend. Ndërsa Neni 98 thekson qartë se ministrat emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti, me propozim të Kryeministrit, dhe dekreti i tyre shqyrtohet nga Kuvendi. Më tej, Neni 99 parashikon betimin e Kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrave para Presidentit, përpara se ata të fillojnë ushtrimin e detyrës.

Pra, logjika e Kushtetutës është e qartë: Presidenti ka një rol formal në emërimin e Kryeministrit sipas mazhorancës, ndërsa përbërja e kabinetit mbetet atribut dhe përgjegjësi e Kryeministrit, e verifikuar nga Kuvendi.

Dekreti i Presidentit Begaj: risi juridike apo shkelje flagrante?

Dekreti nr. 331 i datës 12 shtator 2025, i firmosur nga Presidenti Bajram Begaj, përveç emërimit të Edi Ramës si Kryeministër, përmban në Nenin 2 një element krejtësisht të pazakontë: “Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale ‘Diella’.

Ky është rasti i parë në historinë kushtetuese shqiptare ku një dekret presidencial i njeh legjitimitet një “ministri virtual”. Në praktikë, Kushtetuta nuk njeh dhe nuk parashikon asnjë institucion të tillë.

Ministri, sipas nenit 103, duhet të jetë shtetas shqiptar, mbi 18 vjeç dhe me zotësi mendore e juridike – kualitete që asnjë inteligjencë artificiale nuk mund t’i përmbushë.

Reagimi politik: Gazment Bardhi kundër dekretit

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi dekretin “qesharak” dhe “krejtësisht antikushtetues”, duke theksuar se bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës. Bardhi ironizoi duke pyetur: “Cilat nga cilësitë e kërkuara në Kushtetutë ka ministrja ‘Diella’?” Ai akuzoi Kryeministrin Rama se po e shndërron Republikën në një “palaçollëk”, duke e përdorur Presidentin për ta ligjëruar.

Ku mbaron kompetenca e Presidentit dhe ku nis ajo e Kryeministrit?

Nga leximi i Kushtetutës del qartë se Presidenti ka kompetencë vetëm për emërimin formal të Kryeministrit, sipas propozimit të mazhorancës. Më pas, është detyra e Kryeministrit që të propozojë kabinetin, ndërsa Presidenti dekreton ministrat një nga një.

Në këtë rast, Presidenti Begaj ka kaluar kufijtë e kompetencave të tij, duke futur në dekret një nen që duket si detyrë për Kryeministrin, e që i jep fuqi ligjore një “ministri virtual”.

Në fakt, vetë Rama një ditë më parë kishte deklaruar publikisht se do të krijonte një ministri të tillë virtuale, çka u mor si batutë politike. Por, për ta bërë realitet, është përdorur autoriteti i Presidentit, i cili ka firmosur një dekret pa bazë kushtetuese, duke u kthyer në instrument të Kryeministrit.

Çfarë rrezikon të sjellë “ministri virtual”?

Një entitet artificial i shpallur si “ministri” jashtë kornizës kushtetuese dhe pa asnjë filtër parlamentar rrezikon të shmangë mekanizmat e kontrollit dhe transparencës.

Një “ministri” që nuk betohet, nuk përfaqëson qytetarë dhe nuk ka përgjegjësi juridike, mund të përdoret si mburojë për të shmangur kontrollin financiar mbi prokurimet publike, për të anashkaluar Kuvendin dhe për të menaxhuar fonde të mëdha pa përgjegjësi ligjore. Për të mos folur për fondet që do kërkojë vënia në funksionim e vetë ‘Diellës’.

Nëse ligjërohet një precedent i tillë, pasojat mund të jenë të rënda për sistemin kushtetues, demokracinë parlamentare dhe sidomos për transparencën financiare të shtetit.

Përtej debatit politik, ky dekret mbetet një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe një rrezik serioz për funksionimin e shtetit të së drejtës.