Kreu Newsbuf Izraeli godet Hamasin në kryeqytetin e Katarit: Doha nga vend i sigurt...

Izraeli godet Hamasin në kryeqytetin e Katarit: Doha nga vend i sigurt negociatash kthehet në shënjestër bombardimi

Avionë izraelitë bombarduan dje në Doha të Katarit një lokacion ku ishin mbledhur udhëheqës të Hamasit për të diskutuar mbi negociatat me Izraelin dhe të ardhmen e Gazës. Sipas burimeve palestineze, sulmi synonte kreun e delegacionit, Khalil al-Hayya, por ai i shpëtoi goditjes. Pesë anëtarë të Hamasit mbetën të vrarë, mes tyre edhe djali i tij, ndërsa një pjesëtar i forcave të sigurisë së Katarit humbi jetën gjatë ndërhyrjes.

Sulmi, i kryer me disa raketa të lëshuara nga avionë luftarakë izraelitë, ndodhi në një zonë të mbrojtur dhe strategjike të kryeqytetit, ku ndodhen ambasada, përfaqësi diplomatike, shkolla dhe qendra biznesi. Doha, e njohur deri tani si vend i sigurt dhe neutral për negociatat e Lindjes së Mesme, u kthye brenda pak minutash në epiqendër tensioni, pavarësisht se pranë zonës së bombarduar ndodhet baza më e madhe amerikane në rajon, Al Udeid.

Qeveria e Katarit e cilësoi sulmin si “të turpshëm dhe tinëzar”, duke shtuar se nuk pati asnjë paralajmërim nga Shtetet e Bashkuara, që historikisht mbajnë rol kyç në garantimin e sigurisë së Katarit. Presidenti i Francës e quajti sulmin “të papranueshëm”, ndërsa Mbretëria e Bashkuar deklaroi se ishte një shkelje flagrante e sovranitetit të Katarit. Arabia Saudite e përshkroi goditjen si “një agresion brutal izraelit” që rrezikon të destabilizojë më tej rajonin.

Pamje nga vendi i ngjarjes treguan ndërtesa të dëmtuara rëndë, makina të djegura dhe panik mes banorëve, të cilët nuk kishin përjetuar më parë një sulm ajror në kryeqytetin e tyre. Shumë diplomatë të huaj janë evakuuar nga rezidencat, ndërsa autoritetet kanë rritur nivelin e sigurisë përreth zonës diplomatike.

Sipas analistëve rajonalë, ky është një moment kritik që mund të ndryshojë balancën e diplomacisë në Lindjen e Mesme. Doha, e cila shpesh ka shërbyer si platformë për negociata midis Hamasit dhe Izraelit, tani shihet nga vetë palët si një territor i cenuar. Organizata të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar se goditja e një zone me popullsi civile dhe institucione diplomatike përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë reaguar zyrtarisht mbi faktin nëse ishin të informuara apo jo për operacionin izraelit. Burime diplomatike në Washington thonë se administrata amerikane është vendosur nën presion të madh, pasi baza Al Udeid ndodhet vetëm pak kilometra nga vendi i sulmit.

Liderët e Hamasit që i mbijetuan sulmit kanë deklaruar se “asnjë raketë nuk do të ndalë qëndresën palestineze” dhe se goditja në Doha dëshmon se Izraeli po përpiqet të eliminojë çdo shans për bisedime paqeje. Në anën tjetër, qeveria izraelite e justifikoi operacionin duke thënë se “asnjë vend në botë nuk do të jetë strehë e sigurt për terroristët që planifikojnë sulme kundër Izraelit”.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje për përmbajtje, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i tillë mund të hapë një krizë të re të rrezikshme në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.