Kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli, është detyruar të japë dorëheqjen pas një vale protestash masive kundër korrupsionit, të cilat kanë lënë 19 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur. Megjithëse Oli u tërhoq nga posti, dhjetëra mijëra qytetarë mbetën në rrugët e Katmandusë dhe qyteteve të tjera, duke sfiduar shtetrrethimin dhe duke i vënë flakën ndërtesave qeveritare, përfshirë parlamentin.
Në letrën e dorëheqjes dërguar presidentit Ramchandra Paudel, Oli shkroi: “Në kushtet e krijuara dhe për të ndihmuar në zgjidhjen politike të situatës në përputhje me kushtetutën, kam vendosur të jap dorëheqjen.” Vendimi erdhi pas shpërthimit më të përgjakshëm të dhunës politike që nga vitit 2008, kur protestat popullore rrëzuan monarkinë shekullore.
Protestat, të cilat janë pagëzuar si “protesta e brezit Z”, nisën pas bllokimit të rrjeteve sociale si Facebook, X dhe YouTube nga qeveria, vendim që ndezi indinjatën e të rinjve. Edhe pasi urdhri u tërhoq dhe platformat u rikthyen online, zemërimi popullor shpërtheu me forcë më të madhe, duke u kthyer në revoltë të gjerë kundër privilegjeve të “fëmijëve të politikanëve” dhe mungesës së mundësive për punësim.
Pamje dramatike treguan turma të rinjsh që sulmonin godinat shtetërore, ndiznin goma dhe përplaseshin me policinë. Singha Durbar, kompleksi qeveritar ku ndodhet parlamenti dhe ministritë kryesore, u dogj nga protestuesit. Shtëpitë e disa politikanëve u vunë gjithashtu në shënjestër, ndërsa ministrat u evakuuan me helikopterë ushtarakë. Ish-kryeministri Sher Bahadur Deuba dhe bashkëshortja e tij, si dhe dy ministra të qeverisë, u sulmuan nga turmat përpara se ushtria të ndërhynte.
Presidenti Paudel u bëri thirrje qytetarëve të angazhohen në dialog për të shmangur përshkallëzimin, ndërsa shefi i ushtrisë, Ashok Raj Sigdel, paralajmëroi për pasoja të rënda nëse dhuna nuk ndalet. Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim të madh për situatën, ndërsa Reporterët pa Kufij raportuan se ndërtesa e grupit më të madh mediatik në vend ishte përfshirë nga flakët.
Nepali, një vend me 30 milionë banorë, po përballet me një krizë të thellë politike e sociale. Pavarësisht reformave demokratike, korrupsioni i përhapur dhe mungesa e mundësive ekonomike kanë detyruar mbi 2 mijë të rinj çdo ditë të largohen drejt vendeve të Gjirit, Koresë së Jugut apo Malajzisë për punë. Papunësia tek të rinjtë llogaritet rreth 20 për qind, sipas Bankës Botërore.
Oli, 73 vjeç, kishte nisur mandatin e tij të katërt në korrik të vitit të kaluar, duke u bërë kryeministri i 14-të që nga fundi i monarkisë. Dorëheqja e tij nuk i ka ndalur protestat, ndërsa udhëheqësit e rinj të lëvizjes shpallin se “qeveria ka rënë, e ardhmja u përket të rinjve”.