Qeveria ka prezantuar paketën e re ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, duke vënë në qendër goditjen e ndërtimeve pa leje dhe parandalimin e abuzimeve me hapësirat publike.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, bëri publike ndryshimet që synohen në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, duke theksuar se masat e reja nuk do të kenë vetëm karakter administrativ, por edhe penal. Sipas tij, reforma e mbrojtjes së territorit është domosdoshmëri, pasi prej vitesh janë keqpërdorur hapësira publike. “Nuk është vetëm një ndërhyrje ligjore, por një ndërhyrje që garanton siguri juridike për qytetarët dhe ndërtuesit. Kjo reformë do të garantojë zhvillimin e qëndrueshëm të pronës dhe territorit,” u shpreh Manja.
Një nga risitë kryesore të kësaj pakete është inventarizimi i hapësirave publike nga njësitë vendore në një regjistër kadastral, i cili sipas ministrit do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të territorit. Masat e reja do të synojnë ndalimin e ndërtimit pa leje që në fazën e parë, nga hapja e kantierit e deri në marrjen e certifikatës së përdorimit. Punimet pa leje apo tejkalimet mbi 2 për qind të lejes së ndërtimit do të konfiskohen, ndërsa kur tejkalimi shkon mbi 10 për qind, përfshirë katet mbi dhe nën dhé, objektet do të përdoren për strehim social ose do të shemben. Për ndërtuesit abuzivë do të krijohet një “listë e zezë”, ku subjektet e përfshira do të përjashtohen nga e drejta për të përfituar leje ndërtimi deri në pesë vite.
Në prezantim, drejtues të institucioneve të pranishme evidentuan një sërë problematikash që vijojnë të shoqërojnë sektorin, si pronat pa titull, tokat pa pronar, ndërtimet pa leje dhe shkeljet e projekteve të miratuara. “Shpesh ndeshim raste ku një objekt i lejuar për pesë kate, në terren del me shtatë kate. Apo ndërtime me ndryshim të fasadës dhe gjurmës, që janë po ashtu ndërtime pa leje,” u theksua gjatë diskutimeve.
Një nga kritikat më të forta u bë ndaj mungesës së mekanizmave efektivë të ndëshkimit. U sollën raste të inxhinierëve dhe mbikëqyrësve të kantiereve që kanë firmosur në kundërshtim me lejen, duke certifikuar objekte abuzive si të rregullta. Kjo, sipas tyre, sjell pamundësinë për t’i certifikuar më pas për përdorim, duke lënë qytetarët pa certifikatë pronësie. Po ashtu, u përmend edhe heshtja e arkitektëve përballë abuzimeve me projektet e tyre, si dhe mungesa e koordinimit mes institucioneve përgjegjëse dhe burimet e pamjaftueshme njerëzore në terren.










