Kreu Art Rekordi i duartrokitjes më të gjatë për një film – Në 23...

Rekordi i duartrokitjes më të gjatë për një film – Në 23 minuta emocionuese “Venecia” nderon vajzën palestineze të vrarë në Gaza nga izraelitët

Në Festivalin e 82-të të Filmit në Venecia, publiku përjetoi një moment historik: dokumentari-drama “The Voice of Hind Rajab” i regjisores tuniziane Kaouther Ben Hania u prit me një duartrokitje që zgjati plot 23 minuta, duke thyer çdo rekord të mëparshëm të festivalit.

Filmi rrëfen historinë tronditëse të Hind Rajab, vajzës pesëvjeçare palestineze e cila, në janar 2024, mbeti e vetme mes trupave të familjes së saj të vrarë në një makinë të shkatërruar në Gaza. Në momentet e fundit, ajo arriti të telefononte ekipin e Kryqit të Kuq Palestinez, duke kërkuar ndihmë. Por përpjekja për ta shpëtuar u shndërrua në tragjedi, pasi edhe dy ndihmësmjekët që shkuan drejt saj u vranë nga sulmet izraelite.

Në sallën e madhe të Venecias, publiku shpërtheu në lot, brohoriti “Free Palestine” dhe qëndroi në këmbë për më shumë se 23 minuta pa ndërprerje. Reagimi ishte një dëshmi e fuqisë emocionale të filmit dhe mesazhit të tij universalisht njerëzor.

Regjisorja Ben Hania u shpreh se filmi ishte mënyra e saj për të mos qëndruar e heshtur përballë tragjedisë. “Kisha vetëm një mjet që e zotëroja disi – kinemanë. Me këtë film, të paktën, nuk isha e heshtur,” tha ajo.

Filmi ka marrë mbështetjen e figurave të njohura të kinemasë botërore si Brad Pitt, Joaquin Phoenix, Rooney Mara dhe Alfonso Cuarón, të cilët morën pjesë si producentë ekzekutivë. Ai është përzgjedhur gjithashtu për të përfaqësuar Tunizinë në garën për çmimin “Filmi Ndërkombëtar më i Mirë” në Oscarët 2026.

Megjithatë, shpërndarja e tij në Shtetet e Bashkuara mbetet e pasigurt, për shkak të përmbajtjes së ndjeshme politike që trajton.

Ky moment në Venecia nuk ishte vetëm një sukses kinematografik, por edhe një akt kujtese dhe nderimi për viktimat civile të luftës në Gaza – sidomos për zërin e vogël, të pafajshëm, që u shua përjetë: Hind Rajab.