Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Lisbonë, kur vagoni i linjës që ngjitet në rrugët e pjerrëta karakteristike të qytetit, i njohur si “Elevador da Glória”, doli nga shinat dhe u përplas me forcë në fund të rrugës.
Përplasja rezultoi fatale për 16 persona, ndërsa 23 të tjerë mbetën të plagosur, disa në gjendje kritike. Mes viktimave është edhe punonjësi i shërbimit, ndërsa pasagjerët përfshinin turistë dhe qytetarë nga disa vende të botës. Autoritetet dyshojnë se aksidenti u shkaktua nga një defekt në kabllo dhe mosfunksionim i sistemit të frenimit.
Qeveria portugeze shpalli ditë zie kombëtare dhe urdhëroi pezullimin e të gjitha linjave të ngjashme në qytet deri në kryerjen e inspektimeve të sigurisë. Hetimet janë marrë në dorë nga prokuroria dhe institucionet përkatëse, ndërsa ngjarja ka nxitur reagime të forta brenda dhe jashtë Portugalisë, ku shumë vende kanë shprehur ngushëllime dhe solidaritet. Kryeministri Luís Montenegro e quajti këtë “një nga tragjeditë më të mëdha të vendit në vitet e fundit”.
Autoritetet portugeze kanë nisur një hetim të gjithanshëm për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Prokuroria e Lisbonës konfirmoi se është hapur një proces penal për të përcaktuar nëse ka pasur përgjegjësi njerëzore apo institucionale në tragjedi. Hetimi po kryhet në bashkëpunim me Zyrën për Parandalimin dhe Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore, që është organi zyrtar për rastet e këtij lloji.
Ndërkohë, specialistë të transportit urban kanë nisur inspektimin e mbetjeve të vagonit për të analizuar gjendjen e kabllove, sistemit të frenimit dhe elementeve të tjera mekanike. Burime pranë sindikatës së punonjësve të transportit publik kanë kujtuar se prej kohësh kishin ngritur shqetësime për cilësinë e mirëmbajtjes së këtyre linjave, e cilat prej disa vitesh ishte nënkontraktuar drejt kompanive private.
Kompania Carris, që menaxhon transportin urban të Lisbonës, ka deklaruar se të gjitha kontrollet rutinë ishin kryer sipas rregullores, përfshirë inspektime ditore dhe vjetore, si dhe një kontroll të përgjithshëm në vitin 2024. Megjithatë, sindikatat pretendojnë se ka pasur paralajmërime për konsumim të telave dhe defekte të përsëritura, të cilat sipas tyre nuk janë marrë seriozisht nga administrata.
Hetuesit pritet të marrin në pyetje edhe drejtues të kompanisë së mirëmbajtjes MAIN, që kishte kontratë për kujdesin teknik të këtyre linjave. Një raport paraprak pritet të publikohet në javët e ardhshme, ndërsa raporti i plotë do të kërkojë muaj për t’u finalizuar.Autoritetet kanë theksuar se do të shqyrtohen jo vetëm shkaqet teknike, por edhe mënyra si janë zbatuar standardet e sigurisë dhe përgjegjësitë e çdo institucioni të përfshirë. Nëse vërtetohet neglizhencë, përgjegjësit do të përballen me pasoja ligjore.