Kreu Tjetër Një histori angleze e ngjashme me Shqipërinë – Pacientin Ronnie Sunners e...

Një histori angleze e ngjashme me Shqipërinë – Pacientin Ronnie Sunners e “vdesin” vetë mjekët

Ronnie Sunners, një 71-vjeçar nga Anglia, i cili vuante nga sëmundja pulmonare kronike, humbi jetën në mënyrë tragjike pas një sërë gabimesh të pafalshme në spitalin Royal Preston.

Ai kishte shfaqur vështirësi serioze në frymëmarrje dhe u paraqit në urgjencë për ndihmë të menjëhershme. Por, në vend që të trajtohej me prioritet, u la në korridor për orë të tëra, pa marrë kujdesin që i nevojitej.

Kur më në fund u fut në reanimacion, një infermiere e papërgatitur për përdorimin e pajisjes së ventilimit jo-invaziv bëri një gabim fatal, duke e lidhur në mënyrë të gabuar tubin e aparatit. Për pasojë, Ronnie thithi dioksid karboni për më shumë se gjysmë ore, ndërkohë që përpiqej të hiqte maskën nga fytyra, i kapluar nga frika, por pa mundur të shpëtonte.

Tragjedia nuk mbaroi këtu. Vdekja e tij u certifikua zyrtarisht si “nga shkaqe natyrore” dhe vetëm pas funeralit familja mori njoftim se spitali kishte nisur një hetim për gabime në trajtim. Për të bijën, Rose, ky fakt ishte edhe më shkatërrues se vetë humbja. Ajo akuzon spitalin se e ka mbajtur të fshehtë të vërtetën, duke ia mohuar familjes mundësinë për t’u përgatitur emocionalisht. Madje, sipas saj, momentet e fundit të jetës së të atit u shndërruan në një skenë trajnimi, ku stafi diskutonte mbi gabimet, ndërkohë që ai po jepte shpirt.

Vetëm pas presionit publik, autoritetet e spitalit kërkuan ndjesë, duke pranuar se pati mungesë komunikimi dhe transparence, ndërsa premtuan se do të nxirreshin mësime nga kjo ngjarje për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen. Por për familjen Sunners, asgjë nuk mund ta rikthejë njeriun e tyre dhe asnjë justifikim nuk mund të shlyejë dhimbjen dhe mënyrën e turpshme se si ai u trajtua në momentet e fundit të jetës.

Kjo histori ngjan aq shumë me raste që kanë ndodhur edhe në Shqipëri, ku familjet shpesh përballen me mungesë kujdesi, gabime mjekësore dhe një sistem shëndetësor që e fsheh të vërtetën pas termave burokratike.

Shembulli i Ronnie Sunners është një kujtesë e dhimbshme se sa e rëndësishme është transparenca, përgjegjësia dhe trajtimi me dinjitet i çdo pacienti, pavarësisht vendit ku ndodhet.

Burimi: The Sun