Kreu Rreth Globit Shkarkohet nga Trump një muaj pas emërimit – Susan Monarez, drejtoresha e...

Shkarkohet nga Trump një muaj pas emërimit – Susan Monarez, drejtoresha e Qendrës kundër Sëmundjeve Infektive (CDC) në SHBA, kundër politikës “Anti-Vaksinë”

Shtëpia e Bardhë ka emëruar një drejtues të ri për Qendrën për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), vetëm një ditë pasi ish-drejtoresha Susan Monarez u shkarkua nga posti që mbajti vetëm për një muaj.

Në vend të saj, drejtimin e CDC-së e merr Jim O’Neill, ish-investitor në Silicon Valley dhe aktualisht zëvendës i Sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. Ky ndryshim vjen mes tensioneve të forta brenda agjencisë, sidomos mbi politikat e vaksinimit.

Avokatët e Dr. Monarez e kanë quajtur shkarkimin “të paligjshëm” dhe kanë akuzuar Kennedy-n se e largoi pasi ajo refuzoi të “firmoste urdhra të pasigurt dhe joshkencorë”. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë në deklaratën e saj theksoi se Monarez u shkarkua për arsye se “nuk ishte e përafruar me axhendën e Presidentit”.

Dr. Monarez, një shkencëtare me karrierë të gjatë në shërbimin publik, ishte propozuar nga presidenti Donald Trump pas tërheqjes së kandidaturës së tij të parë, ish-kongresmenit republikan Dave Weldon, i kritikuar për qëndrimet lidhur me vaksinat dhe autizmin. Ajo u konfirmua nga Senati me votim.

Shkarkimi i saj ka shkaktuar një valë dorëheqjesh nga figura të larta të CDC-së. Midis tyre, mjekja Debra Houry – ish-shefja mjekësore – e cila paralajmëroi për “rritjen e dezinformimit mbi vaksinat” dhe kundërshtoi shkurtimet e planifikuara në buxhetin e agjencisë. Po ashtu, Daniel Jernigan, që drejtonte Qendrën Kombëtare për Sëmundjet Infektive dhe Zoonotike, si dhe Demetre Daskalakis, drejtues i Qendrës për Imunizimin dhe Sëmundjet Respiratore, dhanë dorëheqjen duke e cilësuar “të papranueshme politizimin e shëndetit publik”. Edhe Dr. Jennifer Layden, drejtuese e Zyrës së të Dhënave dhe Teknologjisë së Shëndetit Publik, raportohet se është larguar nga detyra.

Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr – i njohur për skepticizmin ndaj vaksinave – deklaroi në një intervistë se “udhëheqja e CDC-së duhet të zbatojë axhendën e Trump” dhe se “ata që nuk janë të përafruar me vizionin e presidentit do të largohen”.

Ky zhvillim ka ngjallur shqetësim mes ekspertëve shëndetësorë në SHBA, të cilët paralajmërojnë për rreziqet e zbehjes së rolit të CDC-së në fushën e imunizimeve. Senatori Bernie Sanders e quajti shkarkimin e Monarez “të rrezikshëm dhe të pamatur”, duke kërkuar nisjen e një hetimi për këtë vendim.

Kriza e fundit në krye të një prej institucioneve më të rëndësishme të shëndetit publik në botë ka thelluar ndarjet mbi politikat e vaksinimit dhe ka shtuar kritikat se shëndeti publik po përdoret si mjet politik.

Burimi: BBC News