Kreu Drejtësi “Luftë” deklaratash në Facebook – Kryeministri Edi Rama vs Këshillit të Lartë...

“Luftë” deklaratash në Facebook – Kryeministri Edi Rama vs Këshillit të Lartë Gjyqësor

Pas disa ditësh sulmesh online ku kryeministri i Shqipërisë kritikoi disa gjyqtarë e prokurorë për vendime që sipas tij bien ndesh me interesin publik dhe me vizionin “Shqipëria 2030”, sot Këshilli i Lartë Gjyqësor, i njohur ndryshe si “qeveria e gjyqësorit”, reagoi me një deklaratë publike. Në thelb të saj, KLGJ nuk e godiste drejtpërdrejt kryeministrin, por vinte theksin tek mbrojtja e gjyqtarëve dhe e vendimmarrjes së tyre si pjesë e një sistemi të pavarur drejtësie.

Deklarata e Këshillit të Lartë Gjyqësor:

Këshilli i Lartë Gjyqësor, duke marrë shkas nga deklaratat e fundit të subjekteve publike apo private, rithekson edhe njëherë se deklarata të tilla cënojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke ju nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Në një shtet të së drejtës, ndarja dhe balancimi i pushteteve përbën parim themelor dhe gjyqtari ushtron funksionet në mënyrë të pavarur, duke vlerësuar faktet dhe interpretuar ligjin, i lirë nga çdo ndikim i jashtëm.

Këshilli ju bën thirrje gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.

KLGJ në përputhje me kompetencat kushtetuese, shpreh mbështetjen e plotë ndaj të gjithë gjyqtarëve dhe përpjekjeve të tyre të përditshme në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe në shërbim të interesit publik. Po ashtu i inkurajon ata të ushtrojnë funksionin e tyre, në mënyrë të përgjegjshme dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.

Në një shtet të së drejtës – i cili sot është më pranë se kurrë aspiratës për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian – vetëm përmes një sistemi gjyqësor të pavarur mund të sigurohet barazia para ligjit dhe një drejtësi efektive, e cila meriton besimin e publikut.

Vetëm disa orë më pas, kryeministri Rama iu kundërpërgjigj përmes një statusi në Facebook, duke u shprehur se KLGJ nuk duhet të humbasë kohë me deklarata, por të fokusohet tek misioni i vet kushtetues për të garantuar funksionimin e drejtë dhe të ndershëm të gjykatave.

Postimi i plotë:

Lexova reagimin e KLGJ, organi më i lartë i vetëqeverisjes së gjyqësorit, lidhur me çka unë kam ndarë me publikun për disa vendime skandalozisht brutale në mbrojtje të zaptuesve të hapësirës publike dhe në dëm të rendit ligjor, interesit publik si edhe komuniteteve të cënuara drejtëpërdrejt nga këto vendime.

KLGJ i ka rënë shumë gjatë, duke harruar se roli i saj themelor është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë, si edhe të garantojë publikun se vendimet që merren nga gjykatësit në dëm të tij, nuk kalojnë pa u analizuar dhe gjykatësit nuk janë maliqër që bëjnë ç’të duan me ligjin në emër të pavarësisë.

KLGJ ka harruar gjithashtu se si instanca më e lartë e vetëqeverisjes së gjyqësorit, ka jo vetëm të drejtën po edhe detyrën të marrë seriozisht shqetësimet e palëve të cënuara nga vendime qorre të gjykatësve, të cilat në këtë rast janë të ububushme për nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj interesit publik.

KLGJ ka harruar edhe të tjera gjëra më shumë rëndësi, por të paktën ka thënë një të vërtetë që më gjen shumë dakord, duke nënvizuar se “çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, gjë për të cilën e kam informuar në çdonjërin nga rastet publikun, se do të bëjmë duke iu drejtuar pikërisht KLGJ dhe ILD si “institucionet përkatëse”. 

Duke e mbyllur me kaq për sot, u them anëtarëve të KLGJ të mos harxhojnë kohën e tyre për të gjykuar se si e bëj unë punën për të cilën më ka votuar populli shqiptar – gjykatësi im i përditshëm të cilit unë nuk kam se si të mos ia shpjegoj hapur pse nuk largohen njësoj si të tjerat ca ngrehina të paligjshme në mes të rrugës, që marrin mbrojtjen e pajustifikueshme të ca gjykatësve të pandjeshëm ndaj interesit publik – po të përqëndrohet tek puna e vet, që gjermësot le shumë për të dëshiruar në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.

Këto dy reagime pasqyrojnë më shumë një “luftë elektronike” sesa synimin për bashkëpunim institucional për një sistem të pavarur drejtësie. Në thelb, përplasja mes pushtetit ekzekutiv dhe “qeverisë së gjyqësorit” nxjerr në pah tensionin e vazhdueshëm mbi balancën e pushteteve, aty ku secili është i thirrur të mbajë dhe të vetëkontrollojë kompetencat që i njeh Kushtetuta e Shqipërisë.