Kreu Drejtësi Kryeministri godet përsëri gjyqësorin: shënjestra e radhës gjyqtari Ligoraq Toshi

Kryeministri godet përsëri gjyqësorin: shënjestra e radhës gjyqtari Ligoraq Toshi

Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer sot me një tjetër reagim të fortë ndaj sistemit gjyqësor, duke marrë në shënjestër gjyqtarin Ligoraq Toshi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama denoncon vendimin e gjyqtarit i cili, sipas tij, ka bllokuar hapjen e një kalimi mes dy pallateve, i zënë prej një ndërtese pa leje me kupolë xhami nën të cilën ndodhet një dyqan.

“Gjykatësi Ligoraq vendosi në pak minuta pa praninë e palëve që të mos hapet kalimi i mbyllur… një barrikadë vrastare e pakapërcyeshme edhe për banorët edhe për zjarrfikësit,” shkruan Rama, duke e cilësuar këtë vendim një rrezik të madh për komunitetin.

Ai shtoi se gjyqtari Toshi i është bashkuar listës së prokurorëve dhe gjyqtarëve të tjerë që, sipas tij, kanë marrë vendime në dëm të qytetarëve dhe rendit publik. Kryeministri u zotua se këto raste do t’i përcillen organeve të kontrollit dhe vetëqeverisjes së gjyqësorit, duke kërkuar edhe që qytetarët e prekur të bashkohen në ankime.

Në fund të reagimit, Rama theksoi se qëndrimi i tij nuk duhet ngatërruar si sulm ndaj institucioneve të drejtësisë, por si një mbrojtje e interesit publik dhe e komunitetit përballë, siç i quajti ai, “gjyqtarëve e prokurorëve të paaftë, të papërgjegjshëm apo edhe pa atdhe fare”.

Ky postim lë të kuptohet se kryeministri ndjehet i lirë të ndërhyjë dhe të shfaqë hapur pakënaqësinë e tij ndaj gjyqtarëve individualë, duke e pozicionuar veten si zë kritik dhe të padiskutueshëm mbi drejtësinë.