Kreu Pikante Shtëpitë dhe perdet e seksit – ku u xhiruan disa filma të...

Shtëpitë dhe perdet e seksit – ku u xhiruan disa filma të bujshëm pornografikë?

Aktorja Sharon Wild, e fotografuar nga Larry Sultan në serinë The Valley, 2001

Në një dhomë të improvizuar gjumi, me perde të purpurta të ndezura, aktorja e filmave për të rritur Sharon Wild pozon për një fotografi mes xhirimeve, ulur mbi një dyshek të konsumuar e të ndotur, ndërsa një copë pëlhure rozë e tejdukshme është hedhur mbi anën ku ajo qëndron. Një pemë plastike në cep dhe një valixhe e harruar mbi mbajtëse japin vetëm një prekje të zbehtë jete të përditshme.

Këto skena të zakonshme, shpesh të ndërtuara në studio ose të filmuar në shtëpi të marra me qira në San Fernando Valley të Kalifornisë, ishin ato që e tërhoqën fotografin amerikan Larry Sultan. Në fund të viteve ’90, gjatë një xhirimi për revistën Maxim, ai u gjend rastësisht sërish në lagjen e fëmijërisë së tij, tashmë e mbushur me produksione pornografike falë kostove më të ulëta dhe afërsisë me Los Anxhelosin. I intriguar, ai u kthye disa herë për të fotografuar këto banesa të zakonshme, që përkohësisht shndërroheshin në skena të filmave për të rritur.

Sultan i përjetësoi këto pamje në librin “The Valley” (2004), ku dokumentoi kontradiktën mes jetës së zakonshme familjare dhe shndërrimit të saj të përkohshëm në një skenë seksi. Ai theksonte se shumë nga këto shtëpi i kujtonin fëmijërinë, por ishin “tjetërsuar” në shërbim të një realiteti tjetër.

Në vend që të fokusohej në aktin erotik, Sultan kërkonte momentet e ndërmjetme: magnetët në frigorifer, perde të purpurta, mobilie të shpërndara, apo sfondet e papërshtatshme të studiove. Për të, këto ishin detajet që flisnin më shumë sesa vetë skena. “Më pëlqente ai lloj teatri i çuditshëm që krijonin. Por unë fotografoja momentet kur drama nuk ndodhte aty ku pritej,” u shpreh ai në një intervistë në vitin 2003.

Fotografia e Sharon Wild, me vështrimin e saj drejt kamerës, është një prej momenteve të rralla kur aktorët vinin re praninë e tij. “Kur shoh perde të purpurta, vrapoj për kamerën time. Jepmëni perde të purpurta dhe një valixhe të kuqe dhe jam në qiell,” thoshte ai me humor.

Këto imazhe, që sot ekspozohen në Nju Jork për 30-vjetorin e galerisë së Yancey Richardson, kujtojnë se edhe mjediset më të zakonshme të jetës sё rrethinave mund të shndërrohen në skena të bujshme erotike, ku realiteti dhe iluzioni përzihen nën dritat e forta të kamerave.

Pёrshtatur nё shqip nga Bufiim.com. Burimi: Jacqui Palumbo – CNN Style. https://edition.cnn.com/2025/08/08/style/larry-sultan-the-valley-snap