Kreu Newsbuf Vatra zjarri në Vlorë dhe Selenicë, banorët përballen me flakët pa ndihmën...

Vatra zjarri në Vlorë dhe Selenicë, banorët përballen me flakët pa ndihmën e zjarrfikësve

Mbrëmjen e 21 gushtit disa vatra zjarri u aktivizuan në qarkun e Vlorës, duke përfshirë zonën e Fushë Dukatit, Drashovicën dhe Vajzën.

Në kodrat pranë Drashovicës në bashkinë Selenicë, flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë që e bëri të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme për shuarjen e tyre.

Ndërkohë, në Fushë Dukat, banorët u përballën vetë me zjarrin që ndodhej vetëm pak metra larg banesave të tyre. Pa praninë e forcave zjarrfikëse apo të emergjencave civile, ata përdorën mjete rrethanore dhe ujë nga një autobot për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Pamjet e siguruara nga terreni tregojnë qartë angazhimin e tyre për të shmangur rrezikun e djegies së banesave.

Sipas autoriteteve, disa nga vatrat u izoluan më vonë, ndërsa zjarret në lartësitë e Drashovicës vijonin të mbeteshin aktive.

Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk kishte njoftime për të lënduar, por situata mbeti e rënduar dhe nën monitorim të vazhdueshëm.