Për të dytën ditë radhazi Kryeministri Edi Rama ka postuar në rrjetet e tij sociale mesazhe të ashpra ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu të Gjykatës Administrative të Tiranës, i cili pezulloi zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në një godinë të konfiskuar në Tiranë.
Përmes postimeve, kreu i qeverisë fillimisht e cilësoi gjyqtarin “të pacipë”, më pas anatemoi arsyetimin e gjyqtarit, duke e cilësuar vendimin “skandaloz” dhe duke akuzuar drejtësinë se po mbron interesat e ndërtuesve të paligjshëm.
Në reagimin e tij, Rama kujton se godina ku aktualisht funksionon ASHK është dëmtuar rëndë nga tërmeti, ndaj ishte vendosur që institucioni të transferohej në ndërtesën e konfiskuar, por gjyqtari Hazbi Balliu e ndaloi me një vendim të përkohshëm këtë lëvizje, duke argumentuar se pezullimi nuk cenonte rëndë interesin publik dhe se punonjësit e ASHK mund të vazhdonin të punonin në të njëjtat kushte ashtu si kishin bërë nga viti 2021.
Ky argumentim e acaroi së tepërmi kryeministrin Rama, ndaj në postimin e fundit u shpreh i habitur sesi një gjyqtar mund të justifikojë që një institucion i rëndësishëm të mbetet në një ndërtesë ku po bien tavanet dhe muret, ndërsa akuzoi sistemin e drejtësisë për mosveprim ndaj gjyqtarit “kryeneç” dhe për rrezikimin e fatit të Reformës në Drejtësi.
Postimet dhe komentet e kryeministrit kanë ngjallur debat publik jo vetëm për fatin e ASHK-së dhe shërbimet që ajo ofron për qytetarët, por edhe për raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Ky është një rast i disatë brenda një kohe të shkurtër kur kreu i qeverisë shqiptare reagon publikisht dhe ashpër kundër vendimeve të gjykatave, prokurorisë apo vendimeve që ato marrin.
Disa kohë më parë, kreu i qeverisë, Edi Rama, kritikoi ashpër mosveprimin e Prokurorisë së Tiranës dhe mungesën e hetimeve ndaj evazionit fiskal.
Në fillimin e vitit, Rama goditi publikisht prokurorët e SPAK që arrestuan Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë Tiranë. Për ndërtimet pa leje në Theth, Rama anatemoi prokuroren Elsa Gjeli, e cila kishte ndaluar fillimin e hetimeve penale ndaj një ndërtuesi objekti që ndodhej në qendër të fshatit turistik.
Hazbi Balliu është “viktima” e fundit e kryeministrit nga radhët e gjyqësorit “të pabindur” shqiptar.
Ndikimi i politikës mbi drejtësinë apo rrezikimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe pavarësia e gjyqësorit janë bërë kryefjala e debatit publik në Shqipëri dhe jashtë saj.
Sjellja e kryeministrit ndaj sistemit gjyqësor në përgjithësi ngre shumë pyetje mbi kufijtë e reagimit të qeverisë ndaj vendimeve të drejtësisë në Shqipëri dhe mbi pavarësinë e aktorëve të saj.
