Kreu Newsbuf Vazhdojnë protestat e dhunshme në Beograd, përplasje mes policisë dhe qytetarëve

Vazhdojnë protestat e dhunshme në Beograd, përplasje mes policisë dhe qytetarëve

Beogradi është përfshirë nga tensione të forta pas protestave masive kundër qeverisë, ku mijëra qytetarë u përplasën me forcat e rendit në rrugët kryesore të kryeqytetit serb.

Demonstruesit, shumica të rinj e studentë, protestuan kundër presidentit Aleksandër Vuçiç dhe politikave të tij, duke e akuzuar për autoritarizëm dhe korrupsion.

Protestat që nisën si tubime paqësore morën shpejt përmasa të dhunshme. Në disa zona të Beogradit dhe qytete të tjera si Novi Sad e Valjevo, u vunë flakën zyrave të partisë në pushtet, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për të shpërndarë turmat. Përleshjet lanë pas dhjetëra të plagosur, mes tyre edhe efektivë policie.

Presidenti Vuçiç i cilësoi ngjarjet si “akte terrori” dhe paralajmëroi një reagim të ashpër të shtetit, duke theksuar se rendi dhe stabiliteti do të mbrohen me çdo kusht. Nga ana tjetër, organizatorët e protestave thonë se nuk do të tërhiqen dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja.

Tensionet në Serbi kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar. Organizata ndërkombëtare dhe përfaqësues të Këshillit të Europës u kanë bërë thirrje autoriteteve të respektojnë të drejtën e qytetarëve për tubim paqësor dhe kanë kërkuar shmangien e dhunës.

Situata në Beograd mbetet e tensionuar, me policinë në gatishmëri të lartë dhe qytetarët që paralajmërojnë protesta të tjera në ditët në vijim.