Kreu Rreth Globit Takimi Trump–Putin në Alaska: Spektakël në tapetin e kuq, por pa marrëveshje

Takimi Trump–Putin në Alaska: Spektakël në tapetin e kuq, por pa marrëveshje

Një ditë që pritej me shumë tension diplomatik përfundoi pa një marrëveshje konkrete, por me një mesazh të qartë për botën: Vladimir Putin nuk është më i izoluar, ndërsa Donald Trump po kërkon të shfaqet si negociatori që mund të sjellë paqe.

Takimi mes presidentit amerikan dhe atij rus, i mbajtur më 15 gusht në bazën ushtarake Joint Base Elmendorf–Richardson në Anchorage, Alaska, u zhvillua në një atmosferë simbolike, plot ceremoni dhe mesazhe të koduara politike.Trump priti Putinin me protokoll të plotë shtetëror: tapet të kuq, avionë luftarakë F-22 dhe bombardues strategjikë B-2 në fluturim mbi bazë, ndërsa mediat amerikane e cilësuan skenën si një spektakël i menduar për të nënvizuar fuqinë amerikane, por edhe për të dhënë mesazhin e respektit ndaj mysafirit rus.

Dy liderët u ulën në makinën presidenciale amerikane, të njohur si The Beast, për një udhëtim të shkurtër – një gjest që Trump e paraqiti si shenjë besimi. Edhe më domethënëse ishte vendimi i tyre për të biseduar pa përkthyes, duke e paraqitur takimin si një dialog personal mes dy burrave të shtetit.

Trump shoqërohej nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarë të afërt të tij, ndërsa Putin kishte përkrah ministrin e Jashtëm, Sergej Lavrov, dhe këshilltarin Yuri Ushakov. Formati ishte i ngushtë, tre kundër tre, duke i dhënë bisedimeve një karakter të drejtpërdrejtë dhe të kontrolluar.

Tema kryesore ishte pa dyshim lufta në Ukrainë. Trump e quajti takimin “produktiv”, por pranoi se nuk priste një armëpushim të menjëhershëm. Ai deklaroi se ishte i gatshëm të negocionte një marrëveshje të përhershme pa insistuar më në një ndalim të menjëhershëm ama të përkohshëm të luftimeve – një ndryshim i qartë nga qëndrimet e mëparshme të administratës së tij.

Putini, nga ana tjetër, mbajti vijën e tij të fortë: kontrollin rus mbi territoret e pushtuara, veçanërisht Donetskun dhe Luhanskun, si dhe garanci se Ukraina nuk do të anëtarësohet në NATO.

Në konferencën e shkurtër për shtyp, Trump u shpreh se “tani është radha e Ukrainës të pranojë marrëveshjen”, një deklaratë që ngjalli shqetësime mes aleatëve perëndimorë për presionin e mundshëm mbi Kievin.

Takimi nuk solli asnjë dokument të nënshkruar dhe asnjë zotim për armëpushim. Megjithatë, prania e Putinit në një skenë ndërkombëtare me protokoll të lartë u konsiderua si një fitore reputacioni për Kremlinin, i cili kërkon të thyejë izolimin e tij pas agresionit në Ukrainë.

Për Trump, samiti shërbeu për të demonstruar stilin e tij të negociatorit “jashtë kornizës”, por gjithashtu ngriti pikëpyetje mbi kohezionin e Perëndimit dhe mbështetjen e tij për Ukrainën. Analistët paralajmërojnë se lëshimet e mundshme të Uashingtonit mund të dobësojnë unitetin transatlantik.

Edhe pse nuk pati rezultate konkrete, u hodhën idetë për takime të ardhshme – mes tyre një vizitë të mundshme të Trump në Moskë dhe përfshirjen eventuale të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në bisedime.

Deri atëherë, lufta në Ukrainë vazhdon, ndërsa samiti i Alaskës mbetet një shfaqje diplomatike më shumë se sa një hap drejt paqes.