Kreu Rreth Globit Chikungunya: Virusi i heshtur që po sfidon Kinën dhe kërcënon botën

Chikungunya: Virusi i heshtur që po sfidon Kinën dhe kërcënon botën

Një virus i harruar nga shumica, i quajtur Chikungunya, është kthyer në një kërcënim të vërtetë për shëndetin publik në Kinë, duke infektuar mbi 7,000 njerëz në qytetin Foshan, provinca Guangdong. Ky është shpërthimi më i madh që Kina ka përjetuar ndonjëherë nga ky virus, një situatë që po alarmon autoritetet, po angazhon masa ekstreme dhe po tërheq vëmendjen e botës.

Chikungunya nuk përhapet nga njeriu te njeriu, por nga një armik i vogël, i heshtur, i përhapur kudo: mushkonjat Aedes. Të njëjtat që shpërndajnë Dengën dhe virusin Zika. Ethet, dhimbjet e forta të kyçeve që të paralizojnë për javë, ndonjëherë për muaj, skuqjet e lëkurës dhe dobësia fizike janë vetëm disa nga simptomat që ky virus shkakton. Edhe pse vdekshmëria është e ulët, dhimbja që lë pas është e madhe dhe në raste të rralla mund të jetë fatale, sidomos për foshnjat, të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore.

Për ta ndalur, Kina po përdor gjithçka që ka në arsenal – edhe përtej asaj që jemi mësuar të shohim. Në ajër, patrullojnë deri dronë për të zbuluar pikat ku grumbullohet uji dhe ku rreziku i shumimit të mushkonjave është më i madh. Dhe nuk mjafton me kaq – njerëzit që nuk pastrojnë zonat përreth banesave të tyre nga uji i ndotur gjobiten deri në 10,000 juan. Madje edhe të infektuarit mbahen në izolim të plotë, për të mos u pickuar sërish dhe për të mos u bërë burim përhapjeje i virusit.

Situata është aq serioze sa CDC (Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) ka lëshuar një paralajmërim udhëtimi për gjithë provincën Guangdong. Këshillat janë të qarta: mbulohuni mirë, shmangni zonat me mushkonja dhe qëndroni në ambiente me ajër të kondicionuar apo me rrjeta.

Alarmi ka dalë edhe përtej Kinës. Vetëm këtë vit janë regjistruar rreth 240,000 raste të chikungunyas në 16 vende të botës. Disa vende kanë raportuar edhe vdekje.

Trajtimi i Chikungunyas mbetet simptomatik – dhimbjet, ethet, lodhja trajtohen me paracetamol dhe qetësues, por virusi duhet të “kalohet” me kohë dhe kujdes. Ka vaksina në zhvillim, disa janë aprovuar, por janë ende të kufizuara dhe nuk janë të disponueshme gjerësisht.

Ky shpërthim nuk është thjesht një histori lokale në Kinë – është një kujtesë globale. Klima po ndryshon, insektet po migrojnë, dhe me to po vijnë sëmundje që dikur ishin të kufizuara në zona tropikale. Ajo që ndodh sot në Guangdong, mund të ndodhë nesër diku tjetër.