Në fund të korrikut, rajoni lindor i Rusisë, Kamçatka, u trondit nga një tërmet me magnitudë 8.8, një nga më të fuqishmit e regjistruar në këtë zonë në dekadat e fundit. Epiqendra ndodhej në thellësinë e Oqeanit Paqësor, jo larg qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky.
Lëkundjet u ndjenë në një hapësirë të gjerë dhe pasuan me paralajmërime për tsunami në disa vende përreth, përfshirë Japoninë, Guam-in, Hawain dhe bregdetin perëndimor të Amerikës së Jugut.
Disa ditë pas këtij tërmeti, në të njëjtin rajon, u regjistrua një zhvillim i rrallë: vullkani Krasheninnikov, i njohur për heshtjen e tij shumëvjeçare, shpërtheu për herë të parë pas më shumë se 450 vjetësh.
Emetoi sasi të konsiderueshme të hirit në atmosferë, duke arritur në një lartësi rreth 6 kilometrash. Vëzhgimet e para tregojnë se nuk ka pasur rrezik të drejtpërdrejtë për banorët, ndërsa drejtimi i erërave e shpërndau hirin në drejtim të oqeanit.
Shkencëtarët janë të mendimit se tërmeti mund të ketë luajtur rol në aktivizimin e vullkanit, pasi lëkundjet e fuqishme mund të ndikojnë në zhvendosjen e magmës dhe çarjen e shtresave të brendshme të tokës.
Ky nuk është një fenomen i zakonshëm, por është i njohur në literaturën gjeologjike, sidomos në rajone si Kamçatka që bëjnë pjesë në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit”, ku aktiviteti sizmik dhe vullkanik është i përhershëm.
Aktualisht, situata është nën monitorim nga autoritetet ruse dhe agjencitë ndërkombëtare që ndjekin lëvizjet vullkanike dhe sizmike në këtë pjesë të globit. Nuk janë raportuar dëme serioze, dhe niveli i alarmit për aviacionin është ngritur në kod portokalli, për shkak të pranisë së hirit në atmosferë.
Ky zhvillim na rikujtoi edhe një herë sa dinamike dhe e paparashikueshme mbetet natyra, edhe në zonat që për një kohë të gjatë kanë qëndruar të heshtura.