Peshon vetëm 1.4 kilogramë, por përmban më shumë se 86 miliardë neurone – dhe secila lidhur me 10 mijë të tjera. Brenda këtij organi të vogël, të fshehur nën kafkën tonë, ndodhet një rrjet i pafund lidhjesh që na bën të jemi ata që jemi. Është truri, komandanti i heshtur i jetës sonë: ai që na mban gjallë, që na ndihmon të flasim, të mendojmë, të ëndërrojmë dhe të dashurojmë.
E çuditshme, por edhe ironike: është pikërisht truri që na jep fuqinë për të kuptuar botën, por që ende mbetet një mister për veten e tij.
Qelizat që nuk i njohim plotësisht
Që në shekullin XIX, shkencëtarët vunë re se truri nuk përbëhej vetëm nga neurone, por edhe nga lloje të ndryshme qelizash me funksione të ndryshme. Sot, dimë se truri ka rreth 170 miliardë qeliza, dhe më shumë se 3,000 lloje të ndryshme janë identifikuar deri tani. Megjithatë, kjo përbën vetëm një fraksion të asaj që mendohet se ekziston.
Kujtesa që na mashtron
Kujtesa është një nga kapacitetet më të jashtëzakonshme të trurit – por edhe më të paqarta. Pse mbajmë mend disa ngjarje më mirë se të tjerat? Pse kujtimet tona ndryshojnë me kalimin e kohës? Nuk e dimë me saktësi nga çfarë përbëhen kujtimet, as pse nuk i kujtojmë vitet e para të jetës. Disa studiues besojnë se kapaciteti i kujtesës sonë është praktikisht i pakufizuar – por në të vërtetë, shpesh ajo na mashtron.
Ëndrrat, portat e pavetëdijes
Prej mijëra vitesh, njerëzimi ka qenë i magjepsur nga ëndrrat. Janë thjesht aktivitet elektrik në tru? Apo ndoshta një mënyrë për të përpunuar emocionet? Nuk kemi ende përgjigje të qarta. Disa njerëz kujtojnë ëndrrat çdo mëngjes, ndërsa të tjerë nuk i kujtojnë kurrë. Dikur besohej se ëndrrat ndodhnin vetëm gjatë fazës REM të gjumit, por kërkimet e reja sugjerojnë se mund të ëndërrojmë në çdo fazë të gjumit – madje mund të kalojmë rreth një të tretën e jetës duke ëndërruar.
Pavarësisht përparimit teknologjik – nga vizatimet me bojëra në shekujt e kaluar, deri te imazhet e trurit në kohë reale me ndihmën e inteligjencës artificiale – misteret mbeten. Truri ka qenë dikur i keqkuptuar si organi që ftohte zemrën apo që mbushej me “gjumë”. Vetëm në shekullin XVII filluam të kuptojmë se aty ndodhej mendja jonë, emocionet tona, vetëdija jonë.
Sot, shkenca ka avancuar shumë, por çka kemi zbuluar është vetëm maja e ajsbergut. Brenda nesh ndodhet një univers i tërë, i papërfunduar në zbulim, i pafund në kompleksitet. Dhe çdo hap drejt së panjohurës na çon më pranë vetes.
Në Ditën Botërore të Trurit, ndoshta është koha të ndalemi, të mendojmë dhe të nderojmë këtë organ të mrekullueshëm. Sepse në fund të fundit, gjithçka që jemi – jemi falë tij.
Pёrshtatur dhe pёrpunuar nё shqip nga Bufiim.com. Burimi: “The Mysteries of the Human Brain | Vantage with Palki Sharma” – YouTube, https://www.youtube.com/watch?v=eGdGxE847ZY