Kreu Tjetër Një grup i rrezikshëm trafikantësh ndërkombëtar përfundon në SPAK – emrat dhe...

Një grup i rrezikshëm trafikantësh ndërkombëtar përfundon në SPAK – emrat dhe pasuritë e sekuestruara

Një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës është finalizuar ditët e fundit nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në disa vende të Europës. Në qendër të këtij rrjeti që dyshohet se trafikoi mbi 6 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, me një vlerë tregu prej mbi 411 milionë euro, qëndrojnë disa emra të njohur në botën e krimit, por edhe në jetën publike.

Në pranga janë vendosur dy vëllezërit biznesmenë, Artur dhe Klevis Hoxhosmani, të njohur për jetën luksoze midis Shqipërisë, Dubait dhe Anglisë, si dhe Ermir Ndreaj, ish-pronari i njohur i klubit “Cinco Cavalli” në Durrës dhe i ambientit “Savoy” në Tiranë. Gjithashtu janë komunikuar masat e sigurisë për Erion Alibej dhe Plarent Dervishaj, tashmë të ndaluar për dosjen “Plumbi i Artë”. Ndërkohë, Ilir Lloshi u lirua pas një arrestimi të gabuar nga SPAK, ndërsa në kërkim është shpallur Elidon Skëndaj, i njohur me disa identitete false dhe që dyshohet se fshihet në Dubai.

Hetimet tregojnë se ky grup kishte ngritur një strukturë të sofistikuar trafiku të drogës që operonte mes Kolumbisë, Ekuadorit dhe porteve të mëdha të Evropës si Belgjika, Holanda, Spanja, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Droga fshihej mes konteinerëve me paleta druri, kuti bananesh dhe thasë me kakao, duke përfituar nga lidhjet me kompani logjistike dhe shfrytëzimi i komunikimeve të koduara për të shmangur ndjekjen.

Vëllezërit Hoxhosmani, me origjinë nga Burreli, ishin ndër figurat qendrore të rrjetit. Ata zotëronin biznese të ndryshme si “Kelcon”, “Ilaria 2015”, një call center në Durrës, dhe një servis makinash luksoze “Auto Premier” në Xhafzotaj. Në emrin e katër vëllezërve të familjes Hoxhosmani janë regjistruar pasuri të shumta të paluajtshme, përfshirë vila në “Green Coast” në Palasë, prona në Lundër dhe apartamente në qendra elitare të Tiranës, si dhe sipërfaqe toke në Durrës.

SPAK ka nisur tashmë hetimet financiare dhe bllokimin e llogarive të tyre bankare, të shpërndara në disa shtete europiane dhe në vendet e Gjirit, përfshirë llogari të dyshuara në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Panama. Jetesa luksoze e tyre përfshinte makina të shtrenjta, skafe, festa me figura publike dhe orë të markave prestigjioze si Rolex dhe Richard Mille, të sekuestruara tashmë nga autoritetet.

Në Palasë, gjatë një aksioni të kamufluar si turistë, agjentët e BKH-së arrestuan Ndreajn dhe vëllezërit Hoxhosmani, duke sekuestruar një skaf luksoz, tre automjete, armë zjarri dhe mijëra euro cash. Ndërkohë, Plarent Dervishaj u la në qeli, pasi ndaj tij rëndojnë tashmë katër dosje penale të hapura, dy për trafik droge dhe dy për atentate dhe pasuri të paligjshme.

Hetimi i drejtuar nga prokurorët Altin Dumani dhe Adnan Xholi është konsideruar si një nga më kompleksët dhe më të rëndësishmit, falë bashkëpunimit të ngushtë me EUROPOL, EUROJUST dhe autoritetet e drejtësisë në Francë, Belgjikë, Itali, Spanjë dhe Britaninë e Madhe.

Grupi përdorte gjithashtu sistemin informal “Hawala” për të lëvizur miliona euro pa lënë gjurmë bankare, ndërsa komunikimet e tyre ndodhnin përmes aplikacioneve të koduara si Sky ECC, ku identitetet e pjesëtarëve mbroheshin nga pseudonime dhe kode PIN.

Sipas SPAK, ky rast është një shembull i pastër i shtrirjes dhe profesionalizmit të grupeve kriminale shqiptare, që tashmë veprojnë në nivel ndërkombëtar me rrjete logjistike, financiare dhe teknologjike tepër të avancuara..

Rasti, edhe pse tregoi publikisht se institucionet shqiptare, me mbështetjen e partnerëve evropianë, janë në gjendje të godasin rrjete të fuqishme kriminale me shtrirje transkontinentale, nga ana tjetër, ngre pikёpyetje për strategjitë e pastrimit të parave dhe se si kontrollet doganore shmangen kaq lehtё nga grupet kriminale, siç dëshmon ky operacion.