Një ngjarje tronditëse ndodhi mbrëmjen e së shtunës në një hotel në Vlorë, ku një 18-vjeçar, kamarier në një lokal, u dhunua rëndë nga një ish-shef i qarkullimit të Policisë së Vlorës dhe një person tjetër me precedentë penalë. Shkaku? Një shishe uji më shumë se porosia.
Sipas dëshmisë së vetë të riut, klientët kishin kërkuar një shishe të vogël dhe një të madhe uji. Kur kamarieri ua solli, njëri prej tyre – Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit në Vlorë dhe aktualisht në strukturat e policisë së Dibrës – u revoltua duke i kërkuar llogari pse kishte sjellë më shumë ujë. Pas një shkëmbimi fjalësh, Isufi e goditi kamarierin tre herë në fytyrë, duke e rrëzuar në tokë. Më pas, në sulm iu bashkua edhe Leart Bimo, person me precedentë penalë.
Në vendngjarje ndërhyri pronari i lokalit, Vasil Bedinaj, i cili ka mbrojtur të riun dhe është përplasur fizikisht me autorët. Nga përleshja edhe Isufi ka përfunduar në spital, ndërsa 18-vjeçari ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.
Në një intervistë për mediat, djaloshi rrëfeu me emocione të forta momentet e dhunës: “Më qëlloi tre herë për një bidon uji… Ndihesha i pafuqishëm, nuk kuptova pse ndodhi.” Ai është maturant, me nota të shkëlqyera në shkollë, dhe punon për të ndihmuar familjen me shpenzimet. Mësuesja e tij, përmes mediave, i ka bërë apel qeverisë që të ndërhyjë dhe të mbrojë të rinjtë që punojnë me ndershmëri dhe përballen me padrejtësi.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike dhe politike. Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër në rrjete sociale, duke deklaruar se Ardian Isufi duhet të përjashtohet menjëherë dhe përfundimisht nga radhët e Policisë së Shtetit dhe të dorëzohet para drejtësisë sapo të dalë nga spitali. Rama e cilësoi incidentin “një konflikt të shëmtuar fizik” dhe një sjellje të papranueshme për një punonjës policie, qoftë edhe jashtë detyrës.
Ndërkohë, Drejtoria e Policisë ka pezulluar përkohësisht Isufin, në pritje të hetimeve të plota. Rasti po ndiqet nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Kjo ngjarje ka hapur sërish debat mbi sjelljen e efektivëve të policisë dhe mungesën e mekanizmave për të parandaluar dhunën nga ata që duhet të mbrojnë qytetarët. Një 18-vjeçar, maturant, që punon për të ndihmuar familjen, u gjend viktimë e një akti të pastër arbitrariteti dhe dhune. Një ngjarje që, siç e kanë përshkruar shumë qytetarë, është një fyerje për të gjithë – për etikën, për shtetin, për dinjitetin e punës dhe për të ardhmen e të rinjve në vend.