Kreu Rreth Globit Si arritëm deri këtu? Palestinezët duhet të zgjedhin: ose të vdesin nga...

Si arritëm deri këtu? Palestinezët duhet të zgjedhin: ose të vdesin nga uria ose nga plumbat e Izraelit kur duan tё shpёtojnё prej saj

Foto nga: REUTERS/Mahmoud Issa

Njëzet e një muaj pas fillimit të luftës së Izraelit në Gaza, vendi është zhytur në skena përshkallëzuese vdekjeje dhe urie. Mijëra janë vrarë në përpjekje për të arritur ndihmën, ndërsa të tjerë kanë ndërruar jetë nga uria — teksa kritikat ndaj sjelljes së Izraelit rriten edhe mes aleatëve të tij më të afërt.

Sipas kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Gaza po përjeton një “uri masive të shkaktuar nga njeriu” për shkak të bllokadës ndaj ndihmave. “Prindërit na tregojnë se fëmijët e tyre flenë duke qarë nga uria,” tha drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Pikat e shpërndarjes së ushqimit janë kthyer në vende dhune.

OKB raporton se mbi 1,000 njerëz janë vrarë nga forcat izraelite teksa përpiqeshin të merrnin ushqim që prej fundmajit, kur filloi të vepronte një organizatë e re ndihmash e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA – Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF). Qindra janë vrarë afër pikave të shpërndarjes së GHF-sё, që u krijua për të zëvendësuar rolin e OKB-së, por është kritikuar për dështim në përmirësimin e situatës.

Të 2.1 milionë banorët e Gazës janë tani të pasigurt për ushqim. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 900,000 fëmijë po vuajnë nga uria dhe 70,000 kanë shenja të kequshqyerjes.

Bllokada totale pas 7 Tetorit

Para luftës, Gaza ishte tashmë një nga zonat më të izoluara në botë, me më shumë se gjysmën e popullsisë në varfëri. Para konfliktit, hynin 500–600 kamionë ndihmash në ditë. Tani, vetëm 28 – një shifër që nuk dihet nëse përfshin edhe GHF-nё.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë 1,200 izraelitë dhe mbi 250 u morën peng, Izraeli urdhëroi një “rrethim total”, duke ndaluar ushqimin, energjinë, karburantin dhe ujin. Kjo shkaktoi një krizë të menjëhershme humanitare.

Armёpushime të shkurtra dhe kolaps i ndihmave

Një armëpushim i përkohshëm në nëntor 2023 lejoi një rritje të lehtë të ndihmave, por ra brenda një jave. Ndihmat u ngadalësuan sërish, me inspektime të ashpra nga Izraeli. Humanitarët akuzuan Izraelin se po e përdor ushqimin si “armë lufte” dhe po ndëshkon kolektivisht civilët.

Izraeli nisi gjithashtu një fushatë kundër OKB-së dhe UNRWA-s, të cilën e akuzoi për bashkëpunim me Hamasin. Në janar 2024, Izraeli ndaloi UNRWA-n nga operimi në Gaza, duke ndërprerë ndihmat jetike për qindra mijëra njerëz.

Rënia e rendit shoqëror

Me përparimin e fushatës ushtarake izraelite, shpërbërjen e Hamasit dhe dobësimin e rendit, ndodhi përhapja e anarkisë. Kamionët e ndihmës u grabitën, shoferët u sulmuan, dhe agjencitë e ndihmës humbën qindra automjete. Izraeli nisi të armatoste milici lokale, një veprim i kritikuar edhe brenda vetë vendit.

Dështimi i modelit të ri të ndihmave

Pas një tjetër armëpushimi të përkohshëm në janar dhe rifillimit të luftimeve në mars, Izraeli vendosi një model të ri ndihmash përmes GHF-sё, duke përjashtuar OKB-në dhe duke autorizuar vetëm lokacione të kufizuara për shpërndarje. Ish-drejtori i GHF-sё dha dorëheqjen para nisjes së operacionit, duke thënë se ishte e pamundur të punohej sipas parimeve humanitare themelore.

Me mijëra njerëz të mbledhur në pikat e pakta të GHF-sё, situata u bë vdekjeprurëse. Izraeli pranoi se ka qëlluar me paralajmërim, por mohonte përgjegjësinë për shumë nga vdekjet. Ndërkohë, qindra janë vrarë edhe në zona të tjera gjatë përpjekjes për të marrë ndihmë.

Deri në korrik 2025, një në katër banorë të Gazës vuan nga uria ekstreme. OBSH thotë se shumica e vdekjeve nga kequshqyerja kanë ndodhur pas rifillimit të bllokadës totale në mars. Deri më tani, 111 njerëz janë konfirmuar të kenë vdekur nga uria, përfshirë dhjetë në 24 orët e fundit.

Organizatat ndërkombëtare humanitare i kanë bërë thirrje Izraelit të heqë bllokadën dhe të pranojë një armëpushim, duke paralajmëruar se furnizimet janë “plotësisht të shteruara”, dhe stafi i tyre po rrezikon të vdesë nga uria së bashku me banorët.

Pavarësisht kësaj, Izraeli vazhdon të këmbëngulë që ndihmat të mos përfshijnë Hamasin dhe se GHF-ja është mënyra më e sigurt. Ndërkohë, presioni ndërkombëtar rritet — madje edhe nga SHBA — ndërsa 25 vende perëndimore e akuzojnë Izraelin për “ushqyerje me pikatore” të Gazës. Ministria e Jashtme izraelite e quajti këtë qëndrim “të shkëputur nga realiteti.”

Pёrshtatur nё shqip nga CNN. Pёr mё shumё: https://edition.cnn.com/2025/07/23/middleeast/gaza-starving-killed-israel-while-seeking-aid-intl