Kreu Art Panairi i Librit në Tiranë sjell fluks të madh vizitorësh që prej...

Panairi i Librit në Tiranë sjell fluks të madh vizitorësh që prej ditës së hapjes

Panairi i Librit në Tiranë, i hapur më 12 nëntor në Pallatin e Kongreseve, po shënon një pjesëmarrje të lartë vizitorësh që në orët e para të çdo dite. Qindra qytetarë janë parë të presin në radhë për të hyrë në ambientet e panairit, ndërsa shkallët dhe sheshpushimet e godinës janë mbushur vazhdimisht me njerëz.

Në hyrje të panairit vërehet prani e madhe e autobuzëve të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët transportojnë nxënës, mësues dhe vizitorë të grupuar me destinacion Panairin e Librit. Frekuentuesit përfshijnë kategori të ndryshme moshe: fëmijë, të rinj, studentë, prindër, si edhe grupe shkollash që shoqërohen nga mësuesit.

Brenda ambientit të panairit krijohet një lëvizje e vazhdueshme, ku vizitorët i drejtohen stendave të shtëpive botuese, konsultojnë titujt e rinj, shfletojnë libra dhe fotografojnë hapësirat ekspozuese. Një pjesë e tyre shfrytëzojnë rastin për të realizuar foto dhe video me synimin e publikimit në rrjetet sociale.

Panairi i Librit do të vijojë të qëndrojë i hapur edhe gjatë ditëve në vazhdim, ndërsa pritet që vizitorët të shtohen sidomos në fundjavë, kur tradicionalisht fluksi është më i madh.

Organizatorët kanë paralajmëruar një seri aktivitetesh të tjera promovuese, takime me autorë, prezantime librash dhe diskutime, të cilat synojnë rritjen e interesit të publikut për botimet më të fundit.

Panairi i Librit mbetet aktiviteti më i madh letrar i vitit në kryeqytet dhe një ndër eventet me pjesëmarrjen më të madhe të publikut në kalendarin kulturor vjetor.