Kreu Newsbuf “Perandoria e Kazinove”: SHBA–Meksikë shembin rrjetin Hysa që maskohej si biznes global

“Perandoria e Kazinove”: SHBA–Meksikë shembin rrjetin Hysa që maskohej si biznes global

Një operacion i koordinuar mes SHBA-së dhe Meksikës ka tronditur sot strukturat e pretenduara të një “perandorie biznesi” që, sipas Thesarit amerikan, ishte asgjë më shumë se një makineri e sofistikuar pastrimi parash e lidhur me kartelet më të rrezikshme të hemisferës.

OFAC dhe FinCEN shpallën sanksione ndaj 27 individëve dhe kompanive që i përkasin Grupit të Krimit të Organizuar Hysa, një rrjet që nga Meksika në Europë e deri në Kanada është përdorur për të lëvizur miliona dollarë të drogës përmes kazinove, restoranteve luksoze dhe kompanive të ngritura si fasadë.

Thesari amerikan theksoi se goditja është pjesë e marrëveshjeve të reja mes SHBA dhe Meksikës për të “ngushtuar lakun” rreth strukturave që mbështesin kartelet.

Në qendër të sanksioneve janë vëllezërit Hysa — Luftar, Arben, Ramiz, Fatos dhe Fabjon — të cilët, sipas autoriteteve amerikane, kanë përdorur një rrjet kompanish në Meksikë për të pastruar të ardhurat e trafikut të narkotikëve.

Në deklaratë thuhet se Hysajt operonin “me pëlqimin e Kartelit të Sinaloas”, ndërsa biznese si Entretenimiento Palmero, Rosetta Gaming, Hysa Forwarders, LH Pro-Gaming e shumë të tjera shërbenin si nyje për lëvizjen e fondeve të pista. Në listë përfshihen edhe bashkëpunëtorë të afërt të familjes, si meksikani Gilberto Lopez Lopez dhe Eselda Baku (Hysa), të cilët sipas Thesarit kanë “vepruar për ose në emër të kompanive të familjes Hysa”.

Në të njëjtën kohë, FinCEN identifikoi 10 kazino në territorin meksikan si qendra kyçe të pastrimit të parave, përfshirë lokacionet e Midas Casino, Skampa Casino, Emine Casino dhe Casino Mirage, duke propozuar masa që i presin këtyre strukturave çdo komunikim financiar me SHBA-në.

Tashmë, pas goditjes më të madhe ndërkombëtare që ka përfshirë një grup me origjinë shqiptare, mbetet e hapur pyetja që po qarkullon në koridoret politike të Tiranës: çfarë do të thotë kjo për takimin mes kryeministrit Edi Rama dhe Luftar Hysës në selinë e Kryeministrisë, dhe sa thellë kanë mundur të futen në Shqipëri degët e kësaj skeme të pastrimit të parave? Për përgjigjen, duket se duhet pritur edhe pak…

Njoftimi zyrtar i Departamentit Amerikan të Thesarit: https://home.treasury.gov/news/press-releases/sb0315

Luftar Hysa