Po të kthehesh në retrospektivë te lajmet e datës 21 tetor 2024, të gjitha mediat nxorën të njëjtin lajm të servirur nga Policia e Shtetit: “Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ekzekutuan vendimin penal për shtetasin A. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’ për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’.”
Bëhej fjalë për Alban Kote, një nga të akuzuarit për mashtrimin e madh me mikrokredi, bashkëpunëtorin më të ngushtë të Arben Meskutit dhe Olsi Ibros. Lajmi kaloi pa u vënë re, në ato ditë me ngjarje të shumta politike dhe askush nuk pyeti: “Si e ekzekutuan vendimin ‘Arrest me burg’ specialistët e krimit ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë? E kapën diku Alban Koten apo u dorëzua vetë?”
“Arratisja”
Pesë muaj para “arrestimit” të Alban Kotes, në maj 2024, Prokuroria e Tiranës me prokurorët Antoneta Sevdari, Ndini Tavani dhe Arben Agovi bëri një goditje të fortë, duke kërkuar arrestimin e 9 anëtarëve të bandës së mikrokredive që kishin ngritur skemën e mashtrimit me kredi dhe kërkoi sekuestrimin e aseteve të tyre.
Prokurorët kërkuan vendosjen e “Arrestit me burg” për Arben Meskutin, Aldo Dakёn, Albert Gegёn, Edmond Maton dhe Alban Koten, ndërsa kërkuan masa më të lehta “Arrest shtëpie” për Elda Ibron, Jordisa Dervishin dhe Alketa (Goxha) Tanushin.
Gjykata e Tiranës i miratoi kërkesat e prokurorëve dhe më 23 maj 2024 të gjithë u arrestuan, përveç Alban Kotes, i cili nuk u gjet askund nga policia, pra u arratis.
Kush e lajmëroi Alban Koten e Zig, Star, ADCA, MCA – “Ik se po vijnë të të arrestojnë”?
Olta Ibrahimi (Kote), motra e Alban Kotes, është një punonjëse e ABI Bank, e martuar me Renato Ibrahimin, me të cilin ka tre fëmijë.
Kush është Renato Ibrahimi?
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, punonjësi i policisë Renato Ibrahimi mban prej disa vitesh detyrën e inspektorit në Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar. Ky sektor në Policinë e Tiranës përbëhet nga pak oficerë policie, të përzgjedhur për karrierën, besueshmërinë dhe profesionalizmin e lartë. Në gjuhën e përditshme ata përshkruhen thjesht si agjentët e “krimit ekonomik”. Te “krimi ekonomik” përplasen të gjitha denoncimet me natyrë financiare, kryesisht mashtrimet, si ato dhjetra apo qindrat e viteve të fundit të bëra nga viktimat e mikrokredive.
Oficeri Renato Ibrahimi, që lufton krimin ekonomik në Policinë e kryeqytetit, ka marrë shpesh denoncime të skemës së mikrokredive që u krijua dhe sofistikua pikërisht nga kunati i tij, Alban Kote, bashkë me trurin e skemës, Olsi Ibro dhe Arben Meskuti.
Nga jeta që ekspozon në rrjetet sociale, oficeri Ibrahimi duket që ka të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur një familje të madhe, ndërkohë që shumicën e kohës e kalon në argëtim, mbi shëtitjet me motor dhe ekspedita turistike. Së bashku me gruan e tij, Olta Ibrahimi, oficeri i antikrimit ekonomik, sapo nisi pandemia në vitin 2020, hapi një restorant peshku në zonën e Rrugës së Kavajës në Tiranë, me NIPT M01609001Q. Banorët e zonës kujtojnë se peshku i freskët i restorantit të Renatos jo vetëm që shitej pa faturë, por aty mund të konsumohej lirshëm çdo gjë “pa asnjë pengesë”.
Renato Ibrahimi njihet në rrethin e agjentëve të “krimit ekonomik” si mik i ngushtë i Aldi Zonjës, një ndër “kokat” kryesore të grupit kriminal të hetuar dhe më pas të arrestuar nga SPAK më 17 nëntor 2024, tre ditë para se të “arrestohej” Alban Kote. Aldi Zonja, bashkë me Klajd Birçen, Ismail Abdurramanin, Baki Huqin dhe Endi Sejdinin, u arrestuan me kërkesë të SPAK në lidhje me një operacion ndërkombëtar antidrogë, pasi dyshohej se trafikonin drogë nga Amerika Latine, të cilën, përmes lëkurëve të bagëtive, e sillnin në vendin tonë për ta përpunuar dhe trafikuar më pas drejt vendeve të BE-së.
Juglerd Ibrahimi është vëllai i Renato Ibrahimit. Më 30 korrik të këtij viti, mbiemri Ibrahimi në versionin “biznesmen” u bë i njohur për publikun, pasi u shpall në kërkim bashkë me grosistin Sokol Meqemeja, për shkak se dyshohej të kishin ndërtuar një impiant prodhimi energjie (TEC), pa leje, si pjesë integruese e një pusi të gazit në vendburimin e Delvinës.
Administratori i kompanisë “Delvina Gas Company” është Juglerd Ibrahimi, me pronar Sokol Meqemeja. Burimet publike tregojnë se Ibrahimi bën çdo punë që i kërkohet nga Meqemeja: menaxhon dhe mban “llogaritë” e kompanisë “Energy Development Group”, me NIPT K82124007R; të kompanisë “Building Construction”, me NIPT L11401034P dhe përveç “Delvina Gas Company” administron edhe kompaninë e ndërtimit “Property Developer” me NIPT L92416016K, ku pronar është përsëri Sokol Meqemeja.
Polici e dyshuar apo drejtësi e montuar?
Përgjatë 5 muajve, nga maji në tetor 2024, kur Arben Meskuti përfundoi në burgun “313” dhe Olsi Ibro u hodh nga lartësia duke u vetëvrarë në rrethana që mbeten ende mister, Alban Kote, një nga 3 “kokat” e grupit të mikrokredive, u fsheh pa lënë gjurmë. Nuk gjendej, derisa më 21 tetor 2024 doli lajmi se “përfundoi në pranga”. E kapën agjentët e “krimit ekonomik”. A ishte kunati i tij, Renato Ibrahimi, një ndër ata?
Alban Kote u dorëzua shoqëruar me një avokat në ambientet e Policisë së Tiranës; më pas media u njoftua se ai u arrestua. Në fakt, Kote u dorëzua se ishte i siguruar për atë çka do të ndodhte më pas.
Më 1.11.2024, vetëm pas një jave pasi u dorëzua në Drejtorinë e Policisë Tiranë, Alban Kote u ngarkua nga prokuroria me tre akuza të rënda, duke iu ndryshuar akuza e parë që ishte e lehtë, “Shpërdorim detyre”. Tani ai akuzohej për vepra më të rënda penale si ajo e “Mashtrimit me pasoja të rënda”.
Një javë më vonë, më 27.11.2024, tre prokurorët e Prokurorisë së Tiranës morën vendim “Për shpalljen e moskompetencës” së çështjes “bombë” të mikrokredive dhe transferimin e dosjes në SPAK, pasi tashmë kishin vërtetuar plotësisht se ishin para një grupi të strukturuar kriminal. Në këtë grup bënte pjesë edhe Alban Kote, që tashmë kishte një javë që vuante arrestin me burg.
Më 4.12.2024, kreu i SPAK, Altin Dumani, pranoi aktet e prokurorëve të Tiranës dhe, pas procedurave të shortimit, ia kaloi dosjen e “mikrokredive” rivalit të tij të vjetër, prokurorit Edvin Kondili.
Ndërkohë, në ditën e dorëzimit në duart e “kunatit” në Policinë e Tiranës, Alban Kote dhe avokati i tij kishin marrë masa që të vinin në “provë” drejtësinë e Gjykatës së Apelit të zakonshëm në Tiranë.
Më 12 nëntor 2025, ora 12:00, në sallën nr. 4 të Gjykatës së Apelit, me relatore gjyqtaren Elona Toro, trupa gjykuese vendosi që të ndryshojë masën e sigurimit për Alban Koten, duke e liruar nga burgu dhe dërguar në “arrest në shtëpi”. Nuk dihen shkaqet që gjeti gjykata për ta liruar Alban Koten, i cili vuajti vetëm pak më shumë se një muaj burgim, por dihet se vendimi u mor në sallën nr. 4, ngjitur me sallën nr. 3, ku më 7 tetor të këtij viti tragjikisht ndërroi jetë gjyqtari Astrit Kalaja. Gjykata e dërgoi Alban Koten të “vuajë” pritjen e hetimeve të SPAK dhe gjykimit të GJKKO-së deri në përfundim të tyre, në adresën e tij: pallatet “Delijorgji”, kulla 2, ap. 56.
Për koinҫidencë, në të njëjtin bllok të lakmuar banimi, burimet japin të dhëna se banon edhe kunati i tij, oficeri Renato Ibrahimi, mjetet luksoze të të cilit, bashkë me kunatin e tij avokat, njihen nga të gjithë banorët e kompleksit, pasi kanë spikatur vitet e fundit në lagjen e re të “Delijorgjit”.
Do të ishte e pabesueshme nëse dy kunetërit do banonin në të njëjtin kompleks banimi dhe të mos komunikonin, e nëse do të ishte e vërtetë, ky do të ishte një skandal i rëndë në radhët e policisë.
Është po kaq e pabesueshme se si një nga tre kryesorët e skemës së mikrokredive, që sipas dokumenteve të Prokurorisë së Tiranës ka sekuestruar mijëra persona, ka qenë që në gjenezë “fortesa” e krijimit të MCA-sё dhe aktiv deri në ditën e fundit, deri kur MCA dhe Final u mbyllën, të lirohet nga drejtësia.
Dyshimi publik, pa parë një vendim të arsyetuar, do të mbetet pas derës së sallës nr. 4 të Gjykatës së Apelit, dhe ndaj gjyqtares me eksperiencë të gjatë Elona Toro, bashkëshorte e ish-avokatit Alban Toro, pretendues së fundi për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtarja Toro, sipas dokumentave të prokurorisë në korrik 2024, liroi nga qelia dhe arresti shtëpiak, pothuajse të gjithë të arrestuarit e Majit 2024, përveç dy prej tyre Arben Meskutin dhe Aldo Dakën. Masat e sigurimit personal u ndryshuan nga gjyqtarja Elona Toro, me pranimin e prokurores së Apelit, Arta Marku.
Në 100-vjetorin e krijimit të Bankës së Shtetit Shqiptar, ka një njollë të madhe që nuk të lejon të gëzosh për suksesin e sistemit bankar shqiptar. Njolla lidhet me skandalin e mikrokredive.
SPAK dyshon se janë lënduar financiarisht mijëra njerëz dhe familje të thjeshta shqiptare nga një grup i madh të dyshuarish, në mesin e tyre, një ndër kryesorët, Alban Kote, që sot po pret ditën e “gjykimit” në ambientet e Kompleksit “Delijorgji” ashtu si 12 “kolegët” e tij, të gjithë në liri, megjithëse janë të pandehur në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që ka shkaktuar shumë pasoja sociale dhe financiare dhe të paktën një vdekje të deklaruar, Pal Trashajn.
Ndryshe nga të akuzuarit e mëdhenj të ashtuquajtur “Jakat e bardha” dhe një varg i gjatë me të arrestuar e të burgosur, si të dyshuar se kanë vjedhur miliona nga populli, “Kotet” e mikrokredive, të cilët dyshohet se kanë grabitur një popull prej 100 000 njerëzish, presin në liri hetimin dhe gjykimin.
Policia e Tiranës, që shpesh, ashtu si në emrat e uraganëve, gjen emërtime të bukura e me kuptim për operacionet e saj, në rastin e kunetërve “Kote” duhet të mendohet mirë para se të shpallë një operacion të titulluar “Dekonspirimi” apo “Motoҫiklisti”, për të vërtetuar pesë muajt e mungesës së një prej të kërkuarve të saj, i cili u shfaq papritur në portën e Policisë së Tiranës, i penduar që mungoi kaq gjatë, duke thënë “Nuk e dija që po më kërkonit!”.
Marrë nga: Prapaskena, https://prapaskena.com/2025/11/12/kuneterit-e-mikrokredive-ne-policine-e-shtetit-renato-ibrahimi-me-alban-koten-sfidojne-drejtesine/










