Një atentat me armë zjarri ka tronditur këtë të martë zonën pranë rrethrrotullimit të aeroportit të Rinasit, rreth orës 14:20, ku humbi jetën Gilmando Dani, 47 vjeç, ndërsa u plagos rëndë Muçi Shaljani (Sheqeri), 40 vjeç.
Sipas të dhënave të para, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të automjetit të blinduar tip “Benz”, me të cilin udhëtonin Dani dhe Shaljani. Nga breshëria e plumbave, Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani u transportua menjëherë në spital në gjendje kritike për jetën.
Autorët janë larguar menjëherë pas ngjarjes me një automjet tip Toyota me targa greke, i cili pak më vonë u gjet i djegur në fshatin Halil të Krujës. Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset që lidhin Rinasin me Fushë-Krujën dhe Tiranën.
Sipas burimeve policore, Gilmando Dani kishte mbërritur sot në Shqipëri nga Spanja, dhe menjëherë pas daljes nga aeroporti ishte futur në makinën e blinduar që drejtohej nga Muçi Shaljani, me të cilin kishte lidhje miqësore. Pak minuta më pas, autorët kanë hapur zjarr në drejtim të tyre, duke e ekzekutuar Danin në vend.
Dani, i njohur si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Emiljano Shullazit, kishte dalë nga burgu dy vite më parë, pasi ishte dënuar me 12 vite për “shtrëngim me anë të kanosjes për marrje pasurie” në kuadër të një “grupi të strukturuar kriminal”. Ai konsiderohej si një nga figurat kyçe të rrjetit të Shullazit jashtë qelisë.
Ndërkohë, i plagosuri Muçi Shaljani, që ndodhet në kujdesin intensiv të mjekëve, rezulton shofer në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, një strukturë e Ministrisë së Brendshme që merret me hetimin e shkeljeve brenda vetë policisë, por nuk ka ende konfirmim zyrtar nga Policia për këtë fakt.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të atentatit, ndërsa pistat kryesore janë ato të larjes së hesapeve mes grupeve kriminale.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes përplasjet e botës së krimit dhe rrezikun e atentateve që zhvillohen në mes të ditës, në një nga zonat më të frekuentuara të vendit.









