Oborri Mbretëror Shqiptar, më 12 tetor të këtij viti, njoftoi fejesën e Lartmadhërisë së Tij, Princit të Kurorës Leka II i Shqiptarëve, me Zonjushën Blerta Celibashi.
Shqiptarët nuk e marrin seriozisht, kur lexojnë një njoftim zyrtar të Familjes Mbretërore, pasi në mendjen e tyre “mbreti” dihet kush është dhe rivali për t’i marrë fronin, bën çdo ditë njoftime nga selia e PD-së. Princi shqiptar i Kurorës Leka II, është më tepër një realitet i pranuar simbolik sesa politik, bashkë me pronat dhe historitë e tij mbretërore.
I lindur dhe rritur në Johannesburg, Afrika e Jugut, Princ Leka II, është i biri i një mamaje australiane, Jona Susan Cullen-Ward, e cila njihej deri sa ndërroi jetë në 2004, si “Mbretëresha e Shqiptarëve”. Princ Leka gjuhën e nënës së tij ka anglishten dhe jo shqipen, që e flet me vështirësinë e një të huaji, por edhe sjellja, edukata, e gjithë tërësia e tij, nuk ka asnjë ngjashmëri me një 43-vjeçar shqiptar, lindur dhe rritur p.sh. në Burgajet të Matit, por edhe në Tiranë, Vlorë apo Korçë.
Princ Leka, mbase nuk është trashëgimtar mijëvjeçar i fronit mbretëror si janë Princi Uilliam dhe Princi Harry, djemtë e Mbretit Karl të Anglisë, por megjithatë formimi dhe sjellja e tij që stonojnë me realitetin shqiptar, janë fiks si ato të një princi.
Të merituara apo jo, Princ Leka II ka kurorë, pasuri dhe një jetë të respektuar prej monarku që jeton në mes të Republikës së Shqipërisë, me privilegje që të tjerët nuk i kanë.
Gjuetaret e Princit
Princit Leka II i duhej një princeshë. Elia Zaharia, bija e aktores së njohur Yllka Mujo (Muji), edhe kjo aktore, u martua në tetor 2016, me Princin Leka, duke u quajtur Elia Zogu dhe marrë titullin Princeshë. Elia, pothuajse me një moshë me Princin, rridhte nga një familje e divorcuar shumë herët dhe me probleme. Gjergj Zaharia, babai, dhe Yllka Mujo, mamaja, janë një histori e përfolur në vitet e komunizmit për ndarjen e tyre. Elia dhe Amos u rritën në Tiranë nga mamaja në një ambient sa bohem dhe artistik, por me probleme që u shfaqën në TV, kur u pa agresiviteti i Elias teksa rrihte Princin dhe cinizmi i Amos, shfaqur në një spektakël reality show, në Top Channel.
Dasma e Elias me Princ Leka II ishte një ngjarje glamour që nuk ishte parë më parë në Shqipëri, ku erdhën të ftuar pinjollë mbretërish të humbura, por edhe princa dhe princesha të monarkive ende gjallë nga e gjithë bota. Shqiptarët u kënaqën me spektaklin, Princi Leka me Princeshën Elia.
Jeta mbretërore filloi për Princeshën Elia, e cila nga një e kaluar “1 + 1” me furnelë gatimi në banjë, filloi të jetojë në pallat e të marrë formim mbretëror. Bashkë me Princin ajo takoi nëpër oborre princërore, në evente e takime, shoqërinë e lartë si Princin Muhammed Ali të Egjiptit, Princeshën Lea të Belgjikës, Princin Carl Philip të Suedisë, Princin Alberti II të Monakos apo të tjerë, të gjithë pjesë e një jete filmash. Jetë që një aktore mund ta prekë dhe interpretojë, por jo ta jetojë deri në fund si pjesë e saj. “Shqiptarja” e rritur në demokracinë e egër shqiptare nxorri kryet, kur të gjithë panë në një video virale Princ Lekën, teksa goditej me urrejtje nga princesha e tij, Elia — skenë tipike që e has çdo ditë nëpër familjet shqiptare, ku zakonisht burri “shkep” gruan me dru, por nuk janë të rralla rastet kur kjo e fundit “kthen dorë”.
Princ Leka u nda me Elia Zaharian, në një proces divorci që mori vëmendjen e publikut. Princesha Elia humbi titullin dhe u kthye në origjinën e thjeshtë, por me 1 milion euro prona dhe vajzën Geraldinё, të vendosur “kolateral” në oborrin mbretëror.
Princesha e dytë në jetën e Princ Lekës shfaqet menjëherë pas divorcit të tij. Në shtator të vitit 2024, tetë muaj pas ndarjes së Lekës nga Elia, futet në skenë fotografja Blerta.
Blerta Celibashi, një 25-vjeçare nga Skrapari, punonte herë pas here në eventet e Familjes Mbretërore si fotografe, kontakt që i krijoi mundësinë të njihej me Princin e më pas të dashurohej me të.
Vajza e Shqiponjës nga Therepeli i Skraparit, lindur dhe rritur në një familje të madhe fshati, pati fat hirushjeje krahasuar me dy motrat e saj, Anxhela dhe Garentina, të cilat u martuan me shoferë. Blerta gjeti një princ — Princin Leka II.
Fejesa e Lekës nga Burgajeti me Blertën nga Therepeli u kremtua më 11 tetor 2025 në Ksamil, në prani të familjarëve të Blerta Celibashit, me valle dhe raki Skrapari. Unaza e çmuar e fejesës, dhuruar nga Princ Leka, ndriçonte në gishtat e imët të Blerta Celibashit, me një shkëlqim që kërkon më shumë.
Para fejesës, përgjatë një viti, çifti mbretëror zhvilloi shëtitje nëpër botë për t’u prezantuar me familje të gjakut blu dhe Blerta për të mësuar rregullat e jetës së re mbretërore.
Fotografja Celibashi, tashmë ishte vetë objekt fotografie. Ajo, si Elia, u prezantua me vende të paëndërruara më parë, si rezidenca e Princ Álvaros dhe Princeshës Antonella d’Orléans-Bourbon, në zemër të Romës, ku takoi aristokratët: Princin Charles-Philippe d’Orléans me Princeshën Naomi, Princin Aimone të Savoisë-Aosta apo Princin Konstantin të Bullgarisë. Me charter, muzikë xhaz, shëtitje nëpër disa kontinente, fotografja e Princit tashmë pretendon për t’u bërë gruaja e tij.
Por, a është gati të jetë një princeshë?
Të ftuar para pak kohe nga prezantuesja e njohur Arbana Osmani, në programin e saj “Mirëmbrëma yje”, çifti Princ Leka – Blerta Celibashi, prezantuan shumë nga vetja e tyre, personalitetin, ndjesitë dhe marrëdhënien me njëri-tjetrin. Dukshёm çifti u shfaq i dashuruar, kur duart e shtrënguara me njëri-tjetrin tregonin një lidhje solide, më tepër se kërkesë për ndihmë para kamerave.
Princ Leka, me ndjeshmërinë dhe sjelljen e tij prej aristokrati të vërtetë filmash, në brendi ka zbutur edhe ata që deri dje e komentonin “Ç’është ky pallë!”. Shqiptarët e ashpër kanë nevojë për modelin e nipit të Zogut e jo për atë të gjyshit të tij. Vajzat shqiptare të rritura në një ambient agresiv mashkullor, nuk kanë se si mos dashurojnë një “Princ të kaltër”, si Princ Leka II. Me titull, me sjellje model, me prona dhe pasuri. Qoftë edhe me një martesë të dështuar që bart një fëmijë.
Blerta Celibashi nuk bën përjashtim. 16 vite më e re se Princi, me një fizik të brishtë pothuajse anemik nga vegjetarianizmi (48 kg), pretenduesja për Princeshë duket se është në momentumin e saj të jetës. Por një pyetje e Arbana Osmanit e “dekonspiroi” dashurinë e saj me rrënjë të thella në mentalitetin jugor të Shqipërisë. “Kur e keni planin të martoheni?” – pyeti moderatorja Osmani, jo pa qëllim. Ndërsa Princi iu shmang datës me një përgjigje elegante, duke pohuar se kjo do të ndodhë e se ka dëshirë për trashëgimtarë, Celibashi iu kthye me një buzëqeshje domethënëse: “Nuk pres më tepër se një vit, zemër!”.
Askush në Shqipëri nuk do mbajë frymën për të parë se ç’do ndodhë me Princ Lekën dhe fotografe-n e tij, ndryshe nga anglezët që ndoqën si popull vendimin e Princ Harry, kur lidhi kurorë me aktoren kanadeze Meghan Markle.
Më me interes pritet si do përfundojë historia e Princit nga Burgajeti, pasi ajo të fillojë me Princeshën nga Therepeli. Buzëqeshja me “deadline” e ka përgjigjen brenda. Princesha vegjetariane mund të abstenojё mish kafshësh dhe shpendësh, por “mish” princash, jo.
Zakonet e jugut janë më të rrepta se ato të Johanesburgut!









