Kreu Rreth Globit Ankara shpall në kërkim Netanyahun: Akuza për gjenocid dhe krime lufte në...

Ankara shpall në kërkim Netanyahun: Akuza për gjenocid dhe krime lufte në Gaza

Qeveria turke ka ndërmarrë një hap të paprecedentë diplomatik dhe ligjor, duke lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe disa nga zyrtarët më të lartë të shtetit hebre. Sipas autoriteteve në Ankara, ndaj tyre rëndojnë akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë ofensivës izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023.

Në deklaratën e zyrës së prokurorit të Stambollit thuhet se në listën e 37 personave të hetuar ndodhen edhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, si dhe shefi i ushtrisë, gjenerali Eyal Zamir. Dokumenti përmend me detaje disa prej ngjarjeve që, sipas Turqisë, përbëjnë dëshmi të qarta të krimeve të luftës: bombardimi i spitalit Al-Ahli Baptist, ku u vranë mbi 500 persona, dhe shkatërrimi i qëllimshëm i infrastrukturës shëndetësore në Gaza.

Ankaraja akuzon Izraelin se ka vendosur bllokadë të plotë humanitare, duke penguar ndihmat dhe trajtimin e civilëve të plagosur, si dhe për sulmin ndaj Spitalit të Miqësisë Turko-Palestineze, ndërtuar nga Turqia, i cili u shkatërrua në mars të këtij viti.

Reagimi nga Tel Avivi ishte i menjëhershëm dhe përçmues. Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar e cilësoi vendimin “një shfaqje propagandistike të udhëheqjes turke”, duke theksuar se Izraeli “e refuzon kategorikisht ndërhyrjen politike në çështje gjyqësore ndërkombëtare”.

Në të kundërt, Hamas ka mirëpritur veprimin e Turqisë, duke e konsideruar si “një hap të guximshëm që tregon solidaritetin e sinqertë të popullit turk me Palestinën”.

Lëvizja e fundit e Ankarasë vjen pas një sërë përpjekjesh ligjore ndërkombëtare kundër udhëheqjes izraelite. Vetëm një vit më parë, Gjykata Penale Ndërkombëtare kishte nxjerrë urdhër-arreste ndaj Netanyahut dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte, ndërsa Turqia iu bashkua padisë së Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që akuzon Izraelin për gjenocid.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 68 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 170 mijë janë plagosur që prej fillimit të ofensivës izraelite.

Burime nga Ankaraja bëjnë të ditur se Turqia do të kërkojë bashkëpunimin e Interpol-it për ekzekutimin e urdhër-arresteve, duke theksuar se “drejtësia ndërkombëtare nuk mund të mbetet e heshtur përballë shkatërrimit të një populli të tërë.”