Nancy Pelosi, gruaja e parë dhe e vetme që ka shërbyer si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, njoftoi se nuk do të rikandidojë për një mandat të ri në Kongres, duke i dhënë fund një karriere politike pothuajse 40-vjeçare.
Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve të San Franciskos, 85-vjeçarja tha se “me zemër plot mirënjohje” do të përmbyllë vitin e saj të fundit në detyrë, duke theksuar se “San Francisko duhet të vazhdojë të udhëheqë dhe të mbrojë demokracinë amerikane”.
Pelosi u zgjodh për herë të parë në Kongres në vitin 1987 dhe në vitin 2007 hyri në histori si gruaja e parë që mori drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve – post që e mbajti në dy mandate të ndara (2007–2011 dhe 2019–2023). Ajo luajti rol kyç në miratimin e reformës shëndetësore “Affordable Care Act”, si dhe në përballjet historike me presidentin Donald Trump, përfshirë dy proceset e shkarkimit ndaj tij.
Në maj të vitit 2024, presidenti Joe Biden e nderoi Pelosi-n me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimin më të lartë civil në SHBA.
Me largimin e saj, mbyllet një epokë për demokratët amerikanë dhe për gratë në politikën amerikane.









