Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka përsëritur qëndrimin e tij zyrtar lidhur me projektligjin “Për barazinë gjinore”, duke theksuar nevojën për të ruajtur vlerat themelore të familjes, traditës morale dhe shoqërore shqiptare.
Në deklaratën e publikuar sot, KNFSH nënvizon se qëndrimi i tij mbetet i palëkundur, siç është shprehur më herët në dokumentet zyrtare drejtuar institucioneve përkatëse.
Sipas Këshillit, çdo nismë që lidhet me ndryshime të ndjeshme shoqërore duhet të zhvillohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe të mirëkuptimit ndërfetar, duke ruajtur harmoninë dhe balancat që kanë mbajtur kohezionin e shoqërisë shqiptare.
“Vlerat e familjes dhe të traditës janë themele të identitetit tonë moral dhe kulturor,” theksohet në deklaratë.
Megjithëse KNFSH shpreh përkushtim ndaj dialogut të hapur dhe bashkëpunimit me institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile, burime nga qarqe të ndryshme vlerësojnë se nisma ligjore, nëse konkretizohet pa një proces të gjerë konsultimi, mund të ngjallë reagime të forta publike, sidomos nëse shihet si rrezik për të prekur në themel strukturën e familjes tradicionale.
Në mbyllje, Këshilli përcjell një mesazh bashkimi dhe urimi: “Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë qytetarët e saj.”










