Kreu Drejtësi Vendim historik në Kushtetuese: Veliaj fiton betejën ligjore, rrëzohet shkarkimi dhe dekreti...

Vendim historik në Kushtetuese: Veliaj fiton betejën ligjore, rrëzohet shkarkimi dhe dekreti për zgjedhjet në Tiranë

Gjykata Kushtetuese ka dhënë sot vendimin përfundimtar në çështjen që ka mbajtur për javë të tëra në tension politik skenën vendase: Erion Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Pas një procesi të gjatë shqyrtimi dhe debateve intensive mes përfaqësuesve të Qeverisë, Presidencës dhe palës së Veliajt, Gjykata Kushtetuese ka vendosur me pesë vota pro dhe tre kundër rrëzimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij. Vendimi është marrë me shumicë votash, duke i dhënë fund përkohësisht një ngërçi institucional që kishte përfshirë disa prej institucioneve më të larta të shtetit.

Burime brenda gjykatës konfirmojnë se trupa gjykuese ka argumentuar se vendimi i qeverisë ka tejkaluar kompetencat administrative, ndërsa procesi ndaj kryebashkiakut nuk kishte respektuar balancat kushtetuese mes pushtetit vendor dhe atij qendror.

Në të njëjtin vendim, Gjykata ka shfuqizuar edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e datës së zgjedhjeve të reja në Tiranë, duke e konsideruar atë të bazuar në një akt tashmë të pavlefshëm.

Ky zhvillim shënon një kthesë të fortë në skenën politike dhe ligjore të vendit, pasi për herë të parë pas shumë vitesh, Gjykata Kushtetuese merr një vendim që balancon pushtetet dhe i vendos kufi ndërhyrjes së ekzekutivit në institucionet vendore.

Ndërkohë, opinioni publik – dhe veçanërisht komuniteti juridik – presin me interes të lartë publikimin zyrtar të vendimit të plotë, bashkë me arsyetimin që pritet të sqarojë jo vetëm fatin ligjor të çështjes, por edhe parimet mbi të cilat u mbështet një nga vendimmarrjet më të rëndësishme të viteve të fundit në jurisprudencën shqiptare.