Në një ditë kur politika shqiptare po vlon nga zhvillime të forta në drejtësi, vendi humbi njërin prej figurave të saj më të rëndësishme të tranzicionit demokratik. Fatos Nano, ish-kryeministër dhe themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë.
Nano kishte disa javë që ndodhej në kujdes intensiv në një prej spitaleve private të Tiranës, ndërsa gjendja e tij ishte rënduar ndjeshëm në ditët e fundit. Burime mjekësore konfirmojnë se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak.
Lajmi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit ka sjellë një valë reagimesh dhe reflektimesh në politikë dhe publik. Ndërsa drejtësia po përballet sot me dy figura të larta të pushtetit aktual, Veliajn dhe Ballukun, lajmi për ndarjen e Fatos Nanos nga jeta ka sjellë një moment qetësie dhe kujtese për një epokë tjetër të politikës shqiptare – më të ngadaltë, më të matur dhe për shumëkënd, më të qëndrueshme.
Nano do të mbahet mend si udhëheqësi që udhëhoqi Shqipërinë drejt stabilitetit pas kaosit të vitit 1997, si politikani që riktheu normalitetin në një vend të shkatërruar nga firmat piramidale, dhe si figura që e transformoi Partinë Socialiste në një forcë moderne të majtë.
Në kujtesën e shumë shqiptarëve, ai do të kujtohet si kryeministri i kohës kur “shqiptarët jetonin më mirë” – një shprehje që përtej nostalgjisë, reflekton një periudhë më të qetë dhe më të parashikueshme të jetës publike e ekonomike.
Fatos Nano u largua nga politika aktive pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005, duke qenë i vetmi lider i tranzicionit që dha dorëheqjen vullnetarisht dhe nuk u rikthye më.
Në ditët në vijim pritet që të zhvillohen ceremonitë zyrtare të homazheve, ku politika shqiptare – përtej ndasive të sotme – do t’i bëjë nderimet një figure që, me gjithë kontradiktat e tij, la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të vendit.









