Kreu Drejtësi Gjithë vëmendja në Kushtetuese: Veliaj lë paraburgimin dhe përballet me Ramën e...

Gjithë vëmendja në Kushtetuese: Veliaj lë paraburgimin dhe përballet me Ramën e Begajn – kamerat në ndjekje, përfaqësuesit në vështirësi

Të gjitha rrugët e Tiranës sot duket se të çojnë në të njëjtin destinacion: Gjykatën Kushtetuese. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka lënë qelinë për t’u paraqitur në seancën e shumëpërfolur, ku pritet të vendoset për fatin e tij politik, në përballjen e drejtpërdrejtë me Edi Ramën dhe Bajram Begajn.

Që në orët e para të mëngjesit, përpara godinës së paraburgimit dhe më pas përgjatë rrugës drejt Kushtetueses, kamerat e mediave janë vendosur në çdo cep për të kapur ndonjë imazh të Veliajt – i cili nuk është parë publikisht që prej ditës së ndalimit të tij.

Çdo lëvizje, çdo xham i errët makine, është ndjekur me sy nga gazetarë dhe qytetarë kureshtarë që kërkojnë “pamjen e parë” të njeriut që për vite ishte sinonim i energjisë, por që sot rikthehet në skenë me barrën e akuzave dhe izolimit mbi supe.

Ndërsa jashtë ndërtesës kishte tension e pritje, brenda sallës së Gjykatës Kushtetuese luhej një tjetër betejë – ajo e argumenteve dhe e përfaqësimit ligjor.

Nga njëra anë, Presidenca dhe Kryeministria kishin unifikuar qëndrimet për të kërkuar që çështja të mos shqyrtohet fare nga Gjykata Kushtetuese, duke e konsideruar atë si një “vendim administrativ”.

Përfaqësuesja e Presidencës, Eriola Shija, lexoi argumentet e përgatitura nga Ilir Rusmali, por një moment i vogël procedural ra në sy të të pranishmëve: ajo i drejtoi fjalën trupës gjykuese ulur, pa u ngritur në këmbë – një detaj që nuk i shpëtoi askujt dhe që u komentua me ironi të hollë si “pasqyrë e nivelit të përfaqësimit”.

Në krahun e qeverisë, përfaqësuesi ligjor thjesht iu bashkua kërkesës së Presidencës.

Në anën tjetër, Veliaj përfaqësohej nga Ermal Yzeiraj dhe Alban Dokushi, ish-drejtor juridik i Bashkisë së Tiranës – një figurë që me praninë e tij sot dëshmoi besnikërinë ndaj ish-shefit në një moment ku shumë të tjerë janë larguar në heshtje.

Seanca pritet të ketë përplasje argumentesh, por edhe tension të nënkuptuar politik. Nëse jashtë kamerat prisnin imazhin e parë të Veliajt, brenda sallës tabloja ishte më e thellë: një përballje simbolike mes institucioneve më të larta të shtetit, me një figurë politike që nga qelia, rikthehet për të sfiduar sistemin që e rrëzoi.

Sot, gjithë Tirana është me sytë nga Gjykata Kushtetuese – për një proces që po kalon nga dosjet ligjore në sytë e publikut.