Sot, politika shqiptare përjetoi një nga ditët më të ngarkuara të saj me zhvillime në drejtësi. Ndërsa Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përballej në Gjykatën Kushtetuese për çështjen që mund të përcaktojë fatin e tij politik, në anën tjetër të kryeqytetit, Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, u paraqit në SPAK për t’u njohur me akuzën zyrtare ndaj saj.
Dy emra të lidhur më shumë nga rivaliteti brenda të njëjtës forcë politike, u gjendën sot – secili në mënyrën e vet – përballë institucioneve të drejtësisë.
Sipas burimeve zyrtare, Balluku është nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderat publikë”, një dosje që lidhet me procedurat e tenderimit në Ministrinë e Infrastrukturës. Hetimet kanë nisur muaj më parë, ndërkohë që SPAK po zgjeron rrethin e personave të hetuar.
Ministrja mbërriti në ambientet e SPAK-ut pa dhënë asnjë koment për mediat, duke lënë të gjitha pyetjet pa përgjigje. Më herët gjatë ditës, në prokurorinë speciale kishte mbërritur edhe Pamela Qirko, motra dhe njëkohësisht avokatja e Ballukut, ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, institucioni kyç i procesit të vettingut.
Ajo që ka ngjallur vëmendje në qarqet politike është koha e zgjedhur për paraqitjen e Ballukut në SPAK. Nuk dihet nëse kjo ishte një lëvizje e qëllimshme për ta kaluar nën hije lajmesh të mëdha ditën e sotme, kur gjithë sytë e opinionit publik ishin te përballja e Erion Veliajt me drejtësinë, apo një përpjekje për të marrë sërish vëmendjen, duke e ndarë skenën e ditës me “mikun” e saj të dikurshëm.
Në anën tjetër, kreu i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar publikisht kryeministrin Edi Rama për presion ndaj prokurorit të çështjes, Dritan Premçi, duke e cilësuar rastin Balluku si “një tjetër provë të përpjekjeve për të mbrojtur njerëzit e afërt të pushtetit”.
Belinda Balluku mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kabinetit qeveritar dhe një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të Edi Ramës, ndërkohë që zhvillimet e ditës së sotme kanë treguar se drejtësia po shtrëngon rrethin në nivelet më të larta të pushtetit.









