Kreu Rreth Globit Tylenol akuzohet se rrit rrezikun e autizmit, Teksasi padit gjigantët farmaceutikë

Tylenol akuzohet se rrit rrezikun e autizmit, Teksasi padit gjigantët farmaceutikë

Një padi e re ka tronditur industrinë farmaceutike amerikane. Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit, Ken Paxton, ka hedhur në gjyq kompanitë Johnson & Johnson dhe Kenvue, duke i akuzuar se kanë mashtruar konsumatorët për sigurinë e ilaçit Tylenol, i përdorur gjerësisht nga gratë shtatzëna në mbarë botën.

Sipas padisë, këto kompani kanë reklamuar në mënyrë të rreme se Tylenol është i sigurt gjatë shtatzënisë, ndërkohë që pretendohet se përbërësi i tij aktiv, acetaminofeni, mund të lidhet me rritjen e rrezikut për autizëm tek fëmijët. Dokumentet ligjore kërkojnë gjyq me juri, dëmshpërblime të konsiderueshme dhe asgjësimin e çdo materiali promovues që e paraqet ilaçin si të padëmshëm për nënat shtatzëna.

Padia vjen në një moment kur debatet mbi sigurinë e medikamenteve për gratë shtatzëna janë rikthyer fuqishëm në SHBA, pas komenteve të fundit të presidentit Donald Trump, i cili pohoi se përdorimi i Tylenol gjatë shtatzënisë mund të lidhet me autizmin tek fëmijët – një deklaratë që shkaktoi polemika të ashpra në qarqet mjekësore.

Kenvue, që zotëron aktualisht të drejtat e Tylenol, ka mohuar çdo akuzë dhe ka theksuar se ilaçi është i sigurt dhe mbështetet nga dekada përdorimi e studimesh shkencore. Edhe Johnson & Johnson është distancuar nga çështja, duke theksuar se fokusohet prej kohësh tek biznesi i produkteve të kujdesit personal.

Ndërkohë, mjekët në SHBA theksojnë se nuk ekziston asnjë provë e qëndrueshme që lidh përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë me autizmin, duke paralajmëruar se përhapja e dezinformatave mund të krijojë frikë të panevojshme te gratë shtatzëna. Ata kujtojnë se Tylenol mbetet një nga pak opsionet e sigurta për uljen e temperaturës dhe dhimbjeve gjatë shtatzënisë.

Çështja ka ndezur një debat të gjerë publik, ku nga njëra anë akuzohen gjigantët farmaceutikë për mashtrim, dhe nga ana tjetër mbrohet rëndësia e marrjes së vendimeve shëndetësore në prova shkencore, e jo në spekulime politike.