Kreu Newsbuf Mbreti Charles dëbon Princ Andrew pas skandalit me Epstein

Mbreti Charles dëbon Princ Andrew pas skandalit me Epstein

Familja mbretërore britanike po përballet me një tjetër tronditje të madhe. Mbreti Charles III ka vendosur t’i heqë të gjitha titujt dhe nderimet vëllait të tij, Princ Andrew, duke e detyruar njëkohësisht të largohet nga rezidenca “Royal Lodge” në Windsor, ku jetonte prej vitesh.

Ky vendim vjen pas një vale të re kritikash publike dhe raportimesh që lidhin emrin e Andrew me skandalin e Jeffrey Epstein, miliarderit amerikan të dënuar për trafikim seksual.

Mbreti ka ndërmarrë veprimin pas daljes në dritë të disa dokumenteve të reja që tregojnë komunikime të vazhdueshme mes Andrew dhe Epstein, përtej asaj që ishte pranuar më parë. Gjithashtu, publikimi i një libri nga një prej viktimave të Epstein, ku përmendet edhe emri i Andrew, ka rritur presionin ndaj monarkisë.

Me këtë vendim, Andrew humbet titujt “Duka i Yorkut”, “Earl of Inverness” dhe “Baron Killyleagh”, si edhe statusin e anëtarit të “Order of the Garter”. Ai nuk do të përfaqësojë më Mbretërinë e Bashkuar në asnjë aktivitet publik dhe do të mbetet jashtë listës së trashëgimisë mbretërore për detyra zyrtare.

Burime pranë pallatit thonë se atij do t’i ofrohet një banesë modeste në një pronë private të familjes, ndërsa financat e tij do të mbeten nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të monarkut.

Ky është një nga veprimet më të ashpra të ndërmarra ndonjëherë nga një mbret britanik ndaj një anëtari të afërt të familjes. Vendimi shihet si një përpjekje për të mbrojtur integritetin dhe besueshmërinë e monarkisë, në një periudhë kur Mbreti Charles po përpiqet ta modernizojë institucionin dhe ta distancojë atë nga skandalet që kanë ndikuar imazhin e tij ndërkombëtar.

Disa analistë mbretërorë e quajnë këtë një “moment historik” që mund të shënojë fundin e jetës publike për Princ Andrew, ndërsa të tjerë e shohin si një sinjal të qartë se Mbreti është i gatshëm të vendosë parimet morale mbi lidhjet familjare.