Në maj 2024, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi me bujë projektin më të ri urban dhe “artistik” për kryeqytetin: “Tirana Moons”, një “oaz i gjelbër dhe hapësirë publike kushtuar librit”, që do të vendosej në sheshin “Nënë Tereza”.
Projekti, i ideuar nga arkitekti austriak Chris Precht, u realizua në bashkëpunim me studion shqiptare UDV Architects. Kostoja? Sipas portalit Citizens.al, plot 390 mijë euro!
Në dukje, një ide fisnike — të krijosh një hapësirë ku qytetarët lexojnë, frymëzohen, e ndajnë librat me njëri-tjetrin. Por nën këtë reklamë, fshihet mënyra perfekte për të harxhuar para publike pa lënë gjurmë.
Instalacionet si “Tirana Moons” janë shembulli tipik i vjedhjes së sofistikuar moderne: ndërtohen, shfaqen për disa muaj, marrin duartrokitjet e zakonshme në inaugurim, shumë foto e lajme të gatshme nëpër portale, më pas… zhduken. Nuk mbetet asgjë për të kontrolluar — as inventar, as llogari. Vetë ideja e “instalacionit të përkohshëm e të lëvizshëm” është dizenjuar për t’u harruar.
Kur të vijë koha për auditim, çfarë do të ketë mbetur për t’u parë? Pak dru i kalbur, ndonjë tendë e grisur, disa vazo betoni dhe disa fatura për “shërbime kreative”. Më saktë: 390 mijë euro për një oaz që nuk dihet as ku do të jetë pas gjashtë muajsh.
Sipas Citizens.al, projekti u krye nga UDV Architects (Dhimitër dhe Kostandin Jano) në bashkëpunim me studion Precht të Austrisë — e njëjta që kishte realizuar më herët “Eden Park” brenda Kryeministrisë, një tjetër “green paradise” që kushtoi 3.6 milionë euro. Rastësi që e njëjta studio të fitojë sërish? Apo një tjetër shembull i favorizimeve të radhës? Madje, vetë teksti i portalit e pranon: nuk është e qartë si u përzgjodh studioja “Precht” për këtë projekt dhe pse ky investim justifikohet. Por këto pyetje humbasin nën dritën e zbehtë të “hënave të Tiranës”.
“Tirana Moons” u prezantua si një “bibliotekë e hapur”. Por në realitet, ajo ishte më shumë një set fotografik për rrjetet sociale. Pak ditë pas hapjes, një ditë shi mjaftoi që çdo aktivitet të mbyllej nga lagështira. Kush mund të lexojë nën tendë, buzë rrugës, mes pluhurit, zhurmës dhe gazrave të makinave? Si mund të krijosh “oaz qetësie” kur libri duhet të luftojë me boritë dhe gazin e makinave?
Në fakt, vetë vizitorët e pranuan që nuk kishte libra të mjaftueshëm — një detaj i vogël për një hapësirë “kushtuar librit”. Por ndoshta qëllimi nuk ishte kurrë leximi, por përshëndetja duke buzëqeshur për kamerat e inaugurimit.
Projekti u promovua nga Erion Veliaj, por inaugurimi u finalizua nga vetë Edi Rama. Një zinxhir institucional që funksionon për mrekulli kur bëhet fjalë për zhdukjen e parave përmes artit publik. Në fund, me siguri asnjëri nuk ka lënë firmën e vet — dhe asnjëri nuk do të mbajë përgjegjësi kur “instalacioni i përkohshëm” të përfundojë në ndonjë magazinë, e ndoshta as aty.
“Tirana Moons” nuk është thjesht një instalacion — është shembulli konkret si vidhet me klas: përmes estetikës, përmes fjalëve si “oaz”, “art”, “kulturë” dhe “qytet modern”. Por pas këtyre fjalëve, qëndron e njëjta praktikë e vjetër: paratë zhduken, përgjegjësit vijojnë aktivitetin.
Në vend të një biblioteke të qëndrueshme, kemi një strukturë të përkohshme. Në vend të librave, kemi boshllëk. Dhe në vend të transparencës, kemi një tjetër “projekt artistik” që i shërben më shumë PR-it sesa qytetarëve.












