Xhamajka po përballet me orët e saj më të vështira teksa uragani Melissa, tashmë i klasifikuar si Kategoria 5, po afrohet me shpejtësi drejt tokës duke sjellë erëra deri në 257 kilometra në orë, reshje ekstreme dhe ngritje të detit deri në katër metra mbi nivelin e tokës. Autoritetet kanë shpallur urdhra të detyrueshëm evakuimi në disa zona bregdetare, përfshirë pjesë të Kingstonit, ndërsa qeveria u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehime të sigurta. “Mos dilni nga shtëpitë. Rreziku është ekstrem dhe përfshin përmbytje të menjëhershme dhe shembje masive toke,” paralajmëroi Qendra Kombëtare e Uraganeve të SHBA-së.
Erërat e forta me shpejtësi deri në 160 milje në orë pritet të shkaktojnë dëmtime të rënda strukturore që mund të zgjasin për ditë, ndërsa reshjet e shiut mund të arrijnë nga 15 deri në 30 inç, me zona malore që mund të marrin deri në 40 inç. Stuhia detare mund të arrijë 9 deri në 13 këmbë përgjatë brigjeve jugore, përfshirë Port Royal dhe Old Harbour Bay, duke rrezikuar të përmbytë lagje të tëra, përfshirë edhe zonën përreth aeroportit ndërkombëtar “Norman Manley”. Rrjeti elektrik dhe komunikimet pritet të pësojnë ndërprerje të gjata, ndërsa shumë komunitete mund të izolohen për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve të paprecedenta.
Meteorologët theksojnë se Melissa po vjen nga jugu, një drejtim i pazakontë për uraganet që godasin Xhamajkën, gjë që shton efektin shkatërrues të valëve dhe ngritjes së detit në zonat më të ulëta të vendit. Stuhia është përshpejtuar me shpejtësi të jashtëzakonshme, duke e dyfishuar fuqinë e saj në vetëm 24 orë, ndërsa përparon ngadalë drejt veriut, çka e bën edhe më të rrezikshme për shkak të kohëzgjatjes së ndikimit të saj.
Melissa është uragani i tretë i Kategorisë 5 që formohet gjatë vitit 2025, pas Erin dhe Humberto, duke e bërë këtë sezon ndër më të fuqishmit në historinë moderne të Atlantikut. Para se të mbërrijë në Xhamajkë, stuhia ka marrë katër jetë – tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane. Sipas ekspertëve, Melissa pritet të jetë uragani më i fortë që ka prekur ndonjëherë Xhamajkën dhe mund të shkaktojë pasoja katastrofike për infrastrukturën, ekonominë dhe jetën e banorëve në ishullin karaibian.









