Kreu Drejtësi Pas katër muajsh gjumi, KLGJ “zgjohet”: kujtohet se duhet të plotësojë vendet...

Pas katër muajsh gjumi, KLGJ “zgjohet”: kujtohet se duhet të plotësojë vendet bosh në gjyqësor!

Pas afro katër muajsh pritjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor më në fund duket se po “kujtohet” për vendet bosh që kanë mbetur në sistemin gjyqësor.

Në korrik 2025, afati i shumëpërfolur pritet të kthehet në një moment kyç: atëherë, më në fund, pritet të ndahen vendet e mbetura bosh në gjykata për t’u plotësuar me të diplomuarit e rinj të Shkollës së Magjistraturës.

Nëse deri tani gjithçka ka qenë një pritje e gjatë e shoqëruar me pagesa pa punë – një realitet absurd që u ka kthyer “pritjen” në profesion – tanimë duket se ora po troket. KLGJ, pas muajsh heshtjeje dhe paqartësie, është në garë me kohën për të ndarë vendet që janë në dispozicion dhe për të përcaktuar se kush do të shkojë ku.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse procesi do të ecë me ritme reale apo do të kemi një tjetër zvarritje burokratike. Edhe pse është e qartë se sistemi gjyqësor, prej kohësh tashmë i lodhur nga boshllëqet, nuk mund të përballojë më vonesa të tjera.

Njoftimi i bërë nga KLGJ në faqen zyrtare, pas akuzave në media për zvarritje të qëllimshme, pritet të mbyllë kapitullin e pritjes për dhjetëra të diplomuar, që kanë marrë statusin e magjistratit, por që ende nuk e dinë në cilin cep të vendit do të dërgohen.

Të gjithë sytë janë tani te KLGJ, që përballë një presioni të madh publik e institucional, duhet të tregojë nëse do të arrijë të menaxhojë me seriozitet një proces që e ka harruar për muaj me radhë.