Në provincën Kandal të Kamboxhias është inauguruar Aeroporti Ndërkombëtar Techo International, një projekt gjigant prej 2 miliardë dollarësh që synon të vendosë vendin në hartën e madhe të turizmit ndërkombëtar. Ceremonia e hapjes nisi me bekimin e një statuje Bude të artë 9-tonëshe, një simbol i fatit dhe mirëseardhjes për çdo udhëtar që hyn në këtë portë të re ajrore.
Aeroporti, i vendosur rreth 30 kilometra në jug të kryeqytetit Phnom Penh, u hap zyrtarisht më 20 tetor 2025 nga kryeministri Hun Manet, i cili e quajti atë “një arritje madhore që reflekton vizionin afatgjatë të zhvillimit të Kamboxhias.” Qeveria e tij shpreson që ky projekt modern të ndihmojë në rritjen e numrit të turistëve, pasi aktualisht vendi pret vetëm 2.5 milionë vizitorë në vit, krahasuar me 32 milionë në Tajlandë dhe 18 milionë në Vietnam.
I projektuar nga studioja e njohur britanike Foster & Partners, aeroporti ofron një përvojë që kombinon luksin dhe identitetin kulturor. Çatia harkore frymëzohet nga kurorat e valltarëve tradicionalë Apsara, dritaret gjigante mbushin hapësirat me dritë natyrale, ndërsa brenda mbillen pemë lokale për t’i përshtatur vizitorët me klimën tropikale. Distanca maksimale e ecjes është vetëm 500 metra, një luks më vete në botën e udhëtimeve ajrore.
Techo International synon të shndërrohet në një Dubai të Azisë Juglindore, me kafe artizanale kamboxhiane, dizajn bashkëkohor dhe teknologji moderne si skanerë me njohje fytyre. Linjat ajrore tashmë e lidhin Phnom Penh me Bangkokun, Pekinin, Singaporin dhe Kuala Lumpurin, ndërsa Turkish Airlines dhe Etihad pritet të hapin fluturime direkte nga Stambolli dhe Abu Dhabi, duke e bërë vendin më të aksesueshëm për Evropën dhe Lindjen e Mesme.
Megjithatë, jo gjithçka shkëlqen si ari. Disa ekspertë paralajmërojnë se infrastruktura e re nuk mjafton për të tërhequr masivisht turistë. Kamboxhia ende përballet me probleme sigurie dhe reputacioni, të lidhura me mashtrime dhe trafikim njerëzor.
Pavarësisht sfidave, aeroporti është pjesë e planit kombëtar “Sacred Tourism 2025–2035”, që synon zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe kulturor, përtej famës së Angkor Wat. Nën shikimin paqësor të Budës së artë, Techo International është bërë tashmë simboli i një Kamboxhie që kërkon të rilindë përmes luksit, kulturës dhe modernitetit.
Burimi: CNN Travel









