Kreu Drejtësi Rasti Barjami: ILD verifikon, avokatët bojkotojnë

Rasti Barjami: ILD verifikon, avokatët bojkotojnë

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka nisur një verifikim me iniciativë pas ndalimit të avokatit Ulian Barjami në Elbasan, një ngjarje që ka trazuar jo vetëm sallat e gjyqit, por edhe besimin e publikut tek mënyra si funksionon sistemi i drejtësisë në raport me mbrojtjen ligjore.

Burime brenda ILD-së bëjnë me dije se një ekip inspektimi ka qenë në terren që në mëngjesin pas incidentit për të mbledhur dokumentacionin dhe për të shqyrtuar mënyrën se si u ndërmor procedura e ndalimit. Sipas institucionit, ky është “një proces standard pune”, por për shkak të ndjeshmërisë së rastit, pritet që rezultatet të publikohen në momentin që procesi përfundon. Deri tani, në faqen zyrtare të ILD-së nuk ka një njoftim publik që të shënojë nisjen formale të këtij verifikimi.

Ngjarja ka marrë jehonë të gjerë pasi ndalimi i avokatit ndodhi pas një debati të ashpër me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore. Dy ditë më pas, Barjami u lirua me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa kjo e fundit shpalli më pas moskompetencën dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës. Gjykata e Elbasanit, në reagimin e saj, sqaroi se ndalimi nuk është bërë në ambientet e saj dhe nuk lidhet me ndonjë vendim gjyqësor, duke u distancuar nga ngjarja.

Në anën tjetër, Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë reagoi ashpër, duke shpallur bojkot të përgjithshëm të të gjitha proceseve penale për periudhën 20–25 tetor. Kjo u interpretua si një paralajmërim institucional ndaj asaj që komuniteti i avokatëve e sheh si cenim të drejtpërdrejtë të ushtrimit të profesionit dhe të parimit të barazisë në sallën e gjyqit.

Ky nuk është rasti i parë kur ILD merr nismë për verifikim pas një ngjarjeje që prek systemin e drejtësisë, por mbetet për t’u parë nëse hetimi do të çojë në një raport të qartë, apo do të mbyllet siç ka ndodhur me shumicёn e rasteve nё kёtё institucion, duke u arkivuar.