Në një kohë kur demokracia matet më shumë me qëndrueshmëri se me deklarata, Tirana pret në 20–21 tetor 2025 një nga ngjarjet më domethënëse të vitit politik e institucional: konferencën ndërkombëtare “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”.
Një aktivitet që nuk mjaftohet me festime simbolike, por kërkon të rikujtojë – e ndoshta të rivlerësojë – vetë themelin e marrëdhënies së Shqipërisë me Europën e institucioneve.
Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe Komisionin e Venecias, konferenca u shndërrua në një skenë ku politika, drejtësia dhe ekspertiza ndërkombëtare u përballën jo vetëm me historinë, por edhe me përgjegjësinë e ditës.
Në podium u ngjitën Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj, Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari, dhe Gianni Buquicchio, President i Nderit i Komisionit të Venecias — një figurë që e njeh mirë rrugëtimin e reformave shqiptare që nga vitet ’90.
Në fjalën e saj, Zaçaj foli qartë dhe prerë për kufijtë e bashkëpunimit me Komisionin e Venecias: “Opinioni këshillimor është një ndihmë e çmuar, por jo një shkallë për të rishikuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Autoriteti i saj është përfundimtar.” Një mesazh që tingëlloi si apel për pjekuri institucionale, në një kohë kur konsultimet ndërkombëtare shpesh përdoren si mburojë politike për të shmangur përgjegjësinë vendimmarrëse.
Nga ana tjetër, Buquicchio kujtoi “rregullat e lojës” që nuk duhet të ndryshohen sipas interesave të lojtarëve — një paralajmërim i qartë ndaj prirjes për reforma të njëanshme në kodin zgjedhor. “Ligji zgjedhor ka qenë gjithmonë fushë debatesh në Shqipëri, por stabiliteti demokratik kërkon që rregullat të mos jenë armë politike. Ato duhen respektuar nga të gjithë, në çdo kohë,” – tha ai.
Edi Rama e quajti Komisionin e Venecias “një partner të pazëvendësueshëm”, pa tё cilin nuk do tё kishte patur Reformё nё Drejtёsi. Ndërsa Niko Peleshi theksoi se bashkëpunimi i ndërsjellë me Këshillin e Europës është provë e rrugëtimit evropian të Shqipërisë, që duhet të shoqërohet me përgjegjësi të brendshme dhe kulturë institucionale.
Por përtej fjalëve dhe kujtimeve, konferenca solli vёmendjen nё atё qё edhe pse ёshtё e qartё, shpesh duhet pёrsёritur me zё tё lartë: bashkëpunimi ndërkombëtar ka vlerë vetëm nëse prodhon drejtësi që funksionon dhe institucione që veprojnë në mënyrë profesionale.
30 vite mё pas, Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë doktrinë — ka nevojë për zbatim dhe veprim. Për një drejtësi që nuk e kërkon legjitimitetin në konferenca, por në gjykata; për një demokraci që nuk e mat suksesin me fjalime, por me besim publik dhe rezultate.
Në këtë kuptim, konferenca nuk ishte thjesht një përvjetor. Ishte një pasqyrë: aty ku u panë bashkë suksesi, sfidat, por edhe detyrimi për t’u bërë më të përgjegjshëm në emër të një demokracie efektive, që nuk mbështetet te formaliteti, por te funksioni.













