SPAK ka përfunduar hetimet për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit dhe ka dërguar për gjykim 33 persona të akuzuar si pjesë e një organizate kriminale të udhëhequr nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, në bashkëpunim me të shumëkërkuarin Talo Çela.
Në mesin e të pandehurve ndodhet edhe ish-gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila akuzohet për bashkëpunim me grupin kriminal “Çopja”, duke ndikuar në vendime gjyqësore dhe duke u bërë pjesë e rrjetit të korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë.
Sipas hetimeve të SPAK, Pajtime Fetahu, e njohur me nofkën “Komshia”, dyshohet se ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me anëtarët e grupit. Ajo akuzohet se ka ndihmuar vëllezërit Çopja duke u siguruar informacion konfidencial mbi dosjet gjyqësore ku ata ishin të përfshirë.
Nga provat e mbledhura, rezulton se Fetahu ka marrë shuma parash në disa raste – përfshirë 10 mijë euro dhe një monedhë floriri si “shenjë mirënjohjeje” nga bashkëpunëtorë të grupit. Takimet, sipas SPAK, zhvilloheshin në banesën e ish-gjyqtares në Elbasan, ku ajo merrte udhëzime dhe jepte këshilla për veprime që ndihmonin anëtarët e organizatës kriminale.
Një ndër elementet më tronditëse të dosjes është dyshimi se Pajtime Fetahu ka urdhëruar vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, moderator i emisionit investigativ “Stop”. Sipas SPAK, Fetahu ishte ndjerë e ekspozuar pas publikimeve të këtij emisioni, ku ishin trajtuar raste që zbulonin abuzime dhe veprime të paligjshme në vendimmarrjet e saj si gjyqtare.
Në komunikimet e përgjuara mes anëtarëve të grupit, janë gjetur referenca të qarta për urdhër hakmarrjeje ndaj gazetarit.
Fetahu u arrestua në korrik të vitit 2024 gjatë një operacioni të gjerë të zhvilluar në disa qytete të vendit. Ajo i ka mohuar të gjitha akuzat, duke deklaruar se është “viktimë e një hetimi të gabuar” dhe se nuk ka pasur asnjë lidhje me grupin “Çopja”.
Tashmë pritet që procesi gjyqësor të hedhë dritë mbi veprimtarinë e një prej rrjeteve më të fuqishme kriminale në Elbasan dhe rolin që kanë luajtur funksionarë të drejtësisë në mbrojtje të interesave të tij.









