Një histori e pabesueshme ka tronditur Poloninë dhe opinionin botëror: një grua është gjetur gjallë, por në gjendje të mjerueshme, pasi prindërit e saj dyshohet se e kishin mbyllur në një dhomë për gati tri dekada. Mirella, sot 42 vjeçe, ishte vetëm 15 kur u zhduk papritur në vitin 1998 nga qyteti Swietochlowice, në jug të Polonisë. Prindërit e saj u thanë fqinjëve se vajza kishte ikur nga shtëpia, dhe askush nuk dyshoi më asgjë për 27 vjet. Vetëm këtë verë policia zbuloi të vërtetën e tmerrshme.
Në korrik, fqinjët dëgjuan zhurma të çuditshme që vinin nga apartamenti i çiftit të moshuar dhe njoftuan policinë. Kur oficerët trokitën, nëna e Mirellës, 82 vjeçe, mohoi çdo problem. Por kur policët arritën të flisnin me Mirellën, vunë re plagë dhe shenja të rënda abuzimi. Ajo dukej e frikësuar, e dobët dhe e sëmurë. E dërguan menjëherë në spital, ku mjekët u tronditën nga ajo që panë: gruaja ishte nё prag tё vdekjes për shkak të infeksioneve të rënda që i kishin pushtuar këmbët. Mjekët thanë se po të ishte vonuar edhe pak ndërhyrja, ajo nuk do të kishte mbijetuar.
Pas 27 vjetësh e mbyllur në të njëjtën dhomë, Mirella ka treguar se nuk e ka parë kurrë qytetin e saj të zhvillohet, nuk ka dalë as në ballkon, as në rrugë. Ajo nuk ka pasur as dokument identiteti, as vizita te mjeku apo dentisti, nuk ka qenë kurrë në një parukeri apo në një shëtitje të thjeshtë. “Kam humbur gjithçka, nuk kam parë asgjë për gjithë këto vite”, ka thënë ajo. Gjendja e saj fizike dhe psikologjike është shumë e brishtë dhe aktualisht ajo po kurohet në spital, ndërsa banorët e zonës kanë nisur një fushatë për të mbledhur fonde për trajtimin e saj.
Autoritetet polake kanë hapur një hetim penal për ngjarjen. Prokuroria ka konfirmuar se rasti po hetohet zyrtarisht dhe pritet të përcaktohet përgjegjësia e prindërve që për 27 vjet mbajtën të fshehur vajzën e tyre në shtëpi, ndërsa fqinjët besonin se ajo kishte ikur prej kohësh. Ngjarja ka shkaktuar zemërim të madh publik dhe ka hapur debate mbi mënyrën si një abuzim kaq ekstrem mund të kalojë pa u vënë re për kaq gjatë.
Vetëm pak ditë para këtij zbulimi, një rast i ngjashëm u raportua në Brazil, ku policia shpëtoi një vajzë gjashtëvjeçare që kishte kaluar gjithë jetën e saj e mbyllur në një dhomë. Ashtu si Mirella, edhe ajo ishte e kequshqyer, e pambrojtur dhe pa asnjë kontakt me botën jashtë. Dy rastet kanë tronditur opinionin publik dhe kanë bërë që shumë njerëz të pyesin se si është e mundur që në shekullin XXI, një fëmijë apo një grua të zhduken plotësisht nga jeta pa e vёnё re askush.
Burimi: news.com.au










