Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi u mor në dhomë këshillimi, gjatë seancës së mbajtur sot nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici. Trupi gjykues vendosi mospranimin e rekursit të paraqitur nga i pandehuri Ilir Metaj (Meta), duke konsideruar të ligjshëm dhe të bazuar në prova arsyetimin e gjykatës më të ulët.
Në këtë mënyrë, ish-kreu i shtetit do të vijojë qëndrimin në qeli, ku ndodhet që prej 21 tetorit 2024, në pritje të përfundimit të procesit penal që po zhvillohet ndaj tij.
Meta kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, duke pretenduar se nuk ekzistojnë më kushtet për mbajtjen në paraburgim, por Gjykata e Lartë konstatoi se rrethanat që justifikojnë masën e “arrestit me burg” vijojnë të jenë të pranishme.
Kundër Ilir Metës është ngritur një dosje voluminoze nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), me akuza që përfshijnë korrupsionin pasiv, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe mosdeklarimin apo fshehjen e pasurisë. Ish-presidenti dyshohet se ka përfituar shuma të konsiderueshme parash në mënyrë të paligjshme gjatë ushtrimit të funksioneve publike, ndërsa një pjesë e pasurisë së tij dyshohet të jetë fshehur përmes skemave financiare të ndërlikuara.









