Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka zhvilluar sot një sërë kontrollesh në disa ambiente në kryeqytet, mes tyre edhe zyrat e kompleksit ETC dhe banesën e një prej biznesmenëve më të njohur në vend, Artan Dulaku.
Sipas burimeve jozyrtare, veprimet janë kryer me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe mësohet se lidhen me hetimet mbi projektin e Portit të Limionit në Sarandë, një investim i nisur vite më parë nga kompania “EdilAl”. Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga SPAK apo BKH mbi objektin konkret të hetimit apo rezultatet e kontrolleve.
Kujtojmë se në vitin 2020, qeveria i hapi rrugë këtij projekti me një koncesion 20-vjeçar, për ndërtimin e një porti jahtesh dhe resorti turistik në zonën e Limionit. Më pas, në vitin 2023, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestro preventive mbi bazën detare, duke e konsideruar si pronë me rëndësi strategjike për Forcat e Armatosura. Vendimi u la në fuqi nga Apeli i Posaçëm dhe më vonë edhe nga Gjykata e Lartë, ndërsa në nëntor 2024, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e kompanisë për heqjen e sekuestros, duke e mbajtur masën në fuqi deri në përfundim të hetimeve.
Së fundmi, raportimet mediatike përmendin se në qendër të interesit të SPAK mund të jenë zhvillime të reja që lidhen me mënyrën e trajtimit të pronës detare dhe procedurat e koncesionit. Megjithatë, asnjë institucion nuk ka konfirmuar zyrtarisht ndonjë akuzë apo veprim hetimor ndaj biznesmenit Dulaku apo subjekteve të tjera të përfshira.
Burime nga drejtësia theksojnë se hetimi për Portin e Limionit është ende në proces dhe për shkak të natyrës së ndërlikuar të çështjes, pritet të kryhen veprime shtesë për sqarimin e plotë të rrethanave.









