Kreu Rreth Globit Emigrantët e “luksit”: Një program britanik për të dëbuarit jashtë kufijve të...

Emigrantët e “luksit”: Një program britanik për të dëbuarit jashtë kufijve të Mbretërisë së Bashkuar përfshin leksione arti dhe kurse IT

Një raport i publikuar nga The Sun ka ngritur polemika të forta në Britani, pasi zbulon se emigrantët e paligjshëm që presin dëbimin nga Mbretëria e Bashkuar po përfitojnë “luks” të pazakontë në qendrat e ndalimit pranë aeroportit Gatwick.

Sipas raportit, kontrata prej 260 milionë paundësh që qeveria britanike ka firmosur me kompaninë publike Serco parashikon që personat në pritje të dëbimit të kenë akses falas në klasa arti dhe zanatesh, kurse IT-je dhe mësime të anglishtes, përveç ambienteve rekreative me biblioteka, lojëra tavoline dhe palestra.

Në qendrat Brook House dhe Tinsley House, emigrantët mund të marrin pjesë në kurse vizatimi dhe pikture, të përdorin kuzhinёn për të gatuar me përbërës të freskët, dhe madje të fitojnë 1 paund në orë duke ndihmuar në pastrim, shërbim ushqimi apo mirëmbajtje të palestrës.

Një tjetër element i përfshirë në program është edhe një “welfare buddy”, person që kujdeset për mirëqenien emocionale të emigrantëve gjatë qëndrimit të tyre në qendër. Përveç kësaj, secili ka të drejtë për 5 paund në javë për shpenzime personale, një telefonatë ndërkombëtare falas, si dhe akses në libra fetarë dhe gazeta në gjuhë të ndryshme.

Sipas dokumenteve të publikuara, qendrat duhet gjithashtu të zhvillojnë komitete mujore për diversitet dhe barazi, të emërojnë një këshilltar për marrëdhënie racore dhe të sigurojnë që asnjë material “ofendues” me përmbajtje racore, fetare apo seksuale të mos ekspozohet në ambiente publike.

Këto përfitime kanë shkaktuar reagime të ashpra në radhët e opozitës konservatore.
Chris Philp, sekretari i Brendshëm në hije, e quajti situatën “çmenduri”, duke thënë: “Emigrantët e paligjshëm duhet të jenë në avionin e parë për t’u larguar, jo duke marrë leksione arti. Paratë e taksapaguesve po shpërdorohen në marrëzi të tilla.”

Në të njëjtën linjë, William Yarwood nga organizata TaxPayers’ Alliance u shpreh se: “Qytetarët do të tronditen kur të mësojnë se ata që janë në vend në mënyrë të paligjshme po përfitojnë kurse arti, IT dhe punë të paguara, ndërsa buxheti publik duhet të shkojë për sigurinë kufitare dhe dëbime.”

Raporti vjen në një moment kur ministrja e Brendshme Shabana Mahmood pritet të pranojë publikisht se dështimi për të kontrolluar kufijtë “po gërryen besimin e qytetarëve te qeveria”.

Sipas të dhënave zyrtare, qëndrimi mesatar i emigrantëve në Brook House zgjat 6.7 javë, ndërsa në Tinsley House rreth 5 javë, me disa raste që përfshijnë edhe ish-të burgosur në pritje të riatdhesimit.

Në mesin e debateve për “trajtime luksoze” dhe mungesë disipline në qendrat e ndalimit, qeveria britanike përballet sërish me pyetjen thelbësore: a po shpenzohen miliarda për të dëbuar më shpejt, apo për t’ua bërë pritjet më të buta atyre që duhet të largohen?

Burimi: The Sun