Dje, në Kuvendin e Shqipërisë, u zhvillua raportimi vjetor i institucioneve të drejtësisë — Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-ut — për veprimtarinë e vitit 2024. Seanca zgjati me orë të tëra, një maratonë shifrash, parashtrimesh dhe fjali teknike, që në fund u shndërrua më shumë në një ushtrim formaliteti sesa në një debat real mbi drejtësinë dhe funksionimin e saj. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, nisi seancën me një fjalë që synonte të vendoste tonin institucional, por menjëherë u ndesh me pyetje politike dhe me përplasje që rrëshqitën drejt akuzave për ndikime të huaja dhe lidhje ideologjike. Në vend që raportimi të bëhej një platformë për politika të reja ose për reflektim mbi problemet e sistemit, u kthye në një arenë retorike, ku secili përfaqësues institucional lexoi statistikat e tij, ndërsa deputetët rrinin në rolin e dëgjuesve të painteresuar.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, paraqiti një raport të mbushur me shifra mbi dosjet, hetimet, përgjimet dhe dënimet, por ajo që mungoi ishte interpretimi i tyre: çfarë tregojnë këto të dhëna për realitetin e drejtësisë sot? Çfarë duhet të ndryshojë? Deputetët nuk u ndalën aspak në këtë nivel analize. Raporti u lexua, u dëgjua, dhe kaloi në rendin e ditës.
E njëjta atmosferë e ftohtë burokratike mbuloi edhe raportimin e kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili foli për sekuestrime rekord, bashkëpunim ndërkombëtar dhe hetime në nivele të larta, por përballë tij kishte më shumë një mur pyetjesh politike sesa interes për thelbin e punës së institucionit. Në fund, seanca u mbyll si zakonisht: me një seri ndërhyrjesh që kishin pak lidhje me raportet e prezantuara dhe më shumë me përplasjet partiake të ditës.
Kjo e djeshmja tregoi edhe një herë se raportimet institucionale në Shqipëri kanë mbetur në të njëjtin avaz: shifra që duken të rëndësishme në letër, por që nuk ndikojnë në asnjë mënyrë reale politikëbërjen, ligjvënien apo strategjitë shtetërore. Deputetët nuk debatuan mbi trendet që nxjerrin këto të dhëna, as mbi mungesat që ato zbulojnë. Ndërkohë, drejtuesit e institucioneve të drejtësisë — përfshirë Çelën dhe Dumanin — nuk ditën të manovronin me elegancë mes pyetjeve me nuanca politike. Ata nuk i shmangën dot, por as nuk i përballuan me atë maturi që e kërkon posti. Në fund, mbeti përshtypja se raportimi ishte më shumë një ritual i radhës sesa një moment përgjegjësie publike — një ushtrim i detyrës për t’u bërë, jo për t’u kuptuar.
Dhe nëse qëllimi i mbledhjes së përbashkët të Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut me Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ishte të vinte realisht në funksion mekanizmin e check and balance mes pushtetit ligjvënës dhe atij të drejtësisë, atëherë rezultati ishte i zbehtë. Tre pikat e rendit të ditës — raportimi i Ministrit të Drejtësisë mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2024, raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm mbi të njëjtin vit, dhe vijimi i raportimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar — mbetën brenda kufijve të një procedure formale. Kontrolli parlamentar nuk u shndërrua në dialog, pyetjet ishin kryesisht politike, përgjigjet të kujdesshme, dhe balanca që duhej të garantonte llogaridhënie e transparencë, në praktikë, nuk u vendos dot.













