Kreu Ekonomi Mokyr, Aghion dhe Howitt fitojnë Çmimin Nobel në Ekonomi për teorinë e...

Mokyr, Aghion dhe Howitt fitojnë Çmimin Nobel në Ekonomi për teorinë e rritjes së nxitur nga inovacioni

Çmimi Nobel për Ekonomi iu dha të hënën Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt për “kontributin e tyre në shpjegimin e rritjes ekonomike të nxitur nga inovacioni”. Fituesit u vlerësuan për mënyrën se si kanë sqaruar dhe matur më mirë konceptin e “shkatërrimit krijues” – një ide thelbësore në ekonomi që përshkruan procesin përmes të cilit inovacionet e reja dhe të dobishme zëvendësojnë, dhe për pasojë “shkatërrojnë”, teknologjitë dhe bizneset e vjetra.

Joel Mokyr është profesor në Universitetin Northwestern, Philippe Aghion mban poste në Collège de France dhe London School of Economics, ndërsa Peter Howitt është profesor në Universitetin Brown.

I kontaktuar menjëherë pas shpalljes, Aghion u shpreh i befasuar nga nderimi. “Nuk gjej fjalë për të përshkruar se çfarë ndiej,” tha ai përmes telefonit gjatë konferencës për shtyp në Stokholm, duke shtuar se do ta përdorë shumën e çmimit për të mbështetur laboratorin e tij kërkimor.

Në lidhje me zhvillimet aktuale në botë, Aghion komentoi: “Nuk e mirëpres qasjen proteksioniste që po ndiqet në SHBA. Kjo nuk është e mirë për rritjen dhe inovacionin global.

Komiteti Nobel vlerësoi se Mokyr “ka treguar se për të ndodhur një proces i vazhdueshëm inovacionesh, nuk mjafton të dimë se diçka funksionon, por duhet të kuptojmë edhe arsyen pse ajo funksionon.” Ndërkohë, Aghion dhe Howitt janë njohur për studimet e tyre mbi mekanizmat që mundësojnë rritjen e qëndrueshme ekonomike – përfshirë një artikull të vitit 1992, ku ndërtuan një model matematik të procesit të “shkatërrimit krijues”.

Kërkimet e tyre tregojnë se rritja ekonomike nuk duhet marrë si e mirëqenë,” tha John Hassler, kryetar i Komitetit për Shkencat Ekonomike. “Duhet të ruajmë mekanizmat që mbështesin shkatërrimin krijues, përndryshe rrezikojmë të biem në stanjacion.”

Gjysma e çmimit prej 11 milionë korona suedeze (rreth 1.2 milionë dollarë) i shkon Mokyr-it, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes Aghion dhe Howitt. Fituesit do të marrin gjithashtu një medalje ari 18-karatësh dhe një diplomë nderi.

Çmimi i ekonomisë, i njohur zyrtarisht si Çmimi i Bankës së Suedisë në Kujtim të Alfred Nobelit, u themelua në vitin 1968 nga banka qendrore suedeze për të nderuar trashëgiminë e shpikësit të dinamitit dhe themeluesit të pesë çmimeve origjinale Nobel. Që prej asaj kohe, ky çmim është ndarë 56 herë për gjithsej 96 laureatë, mes tyre vetëm tre gra.

Megjithëse teknikisht nuk është një nga pesë çmimet origjinale të Nobelit, ai jepet gjithmonë së bashku me to më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

Vitin e kaluar, çmimi iu dha ekonomistëve Daron Acemoglu, Simon Johnson dhe James A. Robinson, për studimet e tyre mbi arsyet pse disa vende janë të pasura dhe të tjera të varfra – duke treguar se shoqëritë më të lira dhe më të hapura kanë më shumë gjasa të zhvillohen.